LAJMET E MBRËMJES

Qytetarët dorëzohen pas intervenimit të Policisë për t’ua hequr veturat në rrugën “Rexhep Luci”

Është bllokuar për qarkullim të automjeteve rruga “Rexhep Luci”, konform vendimit të Komunës së Prishtinës. Banorët rezidentë u detyruan t’i hiqnin veturat pas intervenimit të policisë, por paralajmëruan protesta dhe padi.

Komuna e Prishtinës ka mbyllur për qarkullim rrugën “Rexhep Luci”, por ka pezulluar vendimin për ta bërë të njëjtën në rrugët që kalojnë në hapësirën e UP-së dhe Bibliotekës Kombëtare.

Rruga në qendër të kryeqytetit është bllokuar, me asistencë të policisë. Banorët rezistuan rreth katër orë, por automjetet i larguan vetë, pasi u paralajmërua se ato do të hiqeshin me forcë.

Përfaqësuesi i banorëve të rrugës “Rexhep Luci”, Mentor Dobruna, paralajmëroi protesta dhe padi ndaj komunës.

“Ne u kemi treguar se ne kemi nevojë, nuk kemi qasje tjetër në këto hyrjet tona, asnjë prej hyrjeve tona nuk kanë qasje alternative. Kemi pleq, fëmijë, foshnja, invalidë, të cilët nuk mund të plotësojnë nevojat e veta nëse kjo shndërrohet në shesh. Ne duhet t’i furnizojmë shtëpitë tona”, tha Dobruna.

Mbyllja e rrugës është kritikuar edhe nga përfaqësues të bizneseve, që qasjen e kanë siguruar deri tash nëpërmjet saj.

“Nëse realizohet, ka me pasë impakt negativ në biznese, veçanërisht te njerëzit që jetojnë këtu. Nuk ka nevojë protestë, janë rrugët ligjore, do të bëjmë kallëzim penal ndaj personit që e ka marrë vendimin. Do ta ndjekim atë që e kanë bërë institucionet e tjera te rruga e RTK-së. Mund të ketë rënie në numrin e klientëve të cilët mund të mos e kenë vullnetin të vinë në këmbë ose ta lënë veturën pak më larg”, është shprehur afaristi Flamur Bahtiari.

Por, autoritetet komunale e mbrojtën vendimin. Thanë se mbyllja është bërë pasi janë shterur diskutimet.

“Ka pasë disa pakënaqësi, kundërshtime, komente nga qytetarët, por Komuna i ka shtjerrë dëgjimet publike, sido që të jetë janë edhe rrugë të tjera. Duhet me pasë ndoshta prapë diskutim me kryetarin Rama, në të njëjtën kohë munden me u ndjekë edhe rrugët ligjore. Zgjidhja është me u liru hapësirat publike, me pasë parkingje për banorë, por në të njëjtën kohë me u liru hapësirat publike”, tha drejtori i Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Por, përfaqësues të banorëve thanë se ka probleme më të mëdha sesa bllokimi i rrugëve.

“Nuk është zgjidhje lirimi i hapësirave. Ne kemi probleme të tjera më të mëdha se veturat tona si lirimi i hapësirave të përbashkëta që janë uzurpuar me vite të tëra, funksionimi i bizneseve, kemi problem me kanalizim e të tjera. Shndërrimi në shesh është i papranueshëm” deklaroi Dobruna.

Komuna e Prishtinës zbatoi vetëm pjesshëm vendimin e fundit për mbylljen e rrugëve. Ajo nuk e ndaloi qarkullimin e automjeteve në rrugët në hapësirat e UP-së dhe Bibliotekës Kombëtare, e nga të cilat kanë qasje të vetme edhe dy media kombëtare – Grupi KOHA dhe Radio Kosova.