LAJMET E MBRËMJES

Qeveria vendos lehtësira për mërgimtarët dhe sanksione për Rusinë e Iranin

Bashkatdhetarëve edhe këtë vit do t’u mbulohet tarifa e policës kufitare me t’u futur në Kosovë. Por, këtë herë sipas vendimit të Qeverisë, procedura është lehtësuar. Teksa vjet paguanin vetë e më pas aplikonin për rimbursim, sivjet mund të aplikojnë online para nisjes dhe të marrin policën kufitare falas. Në mbledhjen e Qeverisë u morën edhe vendime të tjera, dhe u vunë sanksione ndaj Rusisë e Iranit

Qeveria e Kosovës edhe këtë vit do të mbulojë tarifën e policës kufitare për bashkatdhetarët, për të cilën të enjten miratoi ndarjen e 3 milionë eurove.

Pas mbledhjes së Qeverisë ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se këtë vit procedurat janë lehtësuar dukshëm. 

“Ideja është që kësaj radhe ta bëjmë përmes qasjes online. Domethënë para se të arrijnë këtu do të kenë mundësinë ta tërheqin online policën falas, e cila mbulohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të evitohen kësisoj edhe radhët e gjata në kufi”, ka thënë Murati në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Qeverisë.

Vitin e shkuar mërgimtarët paguanin vetë në kufi e më pas aplikonin për rimbursim. 

Mes tjerash, Qeveria miratoi edhe strategjinë për Drejtësi Tranzicionale. Kryeministri Albin Kurti, atë e paraqiti si vendimin më të veçantë të mbledhjes së kabinetit.

“Ky dokument strategjik është edhe një hap përpara në përpjekjet tona për të adresuar plagët e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë. Miratimi i kësaj strategjie është vetëm hapi i parë. Zbatimi i saj kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe mbështetje nga të gjithë ne”, ka thënë kryeministri Kurti.

Strategjia për Drejtësi Tranzicionale i referohet viteve 2024-2034.  Ky dokument bazohet në qasjen e përqendruar te viktimat, ndjeshmërinë gjinore dhe pajtueshmërinë me normat dhe standardet ndërkombëtare, pos tjerash. 

“Strategjia synon t’i adresojë krimet e tmerrshme të kryera nga ish-Jugosllavia dhe Serbia gjatë luftës në Kosovë, si dhe nevojat e grupeve të viktimave të atyre krimeve. Kjo është hera e parë që vendi ynë po e miraton një dokument të tillë, thuhet në një njoftim të Qeverisë.

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media nuk ka dhënë shpresa për aprovim të shpejtë të një dokumenti tjetër – Projekt-Kodit Civil. Ajo nuk ka dhënë ndonjë datë, ndonëse një vendim i tillë ka kohë që është paralajmëruar nga kryeministri Kurti. 

Haxhiu ka thënë se kalimi i Projekt-Kodit Civil në Qeveri është i varur nga vullneti i deputetëve për miratim në Kuvend.

“Ne nuk mund ta procedojmë në Kuvend për sa kohë nuk jemi të sigurt që Kodi Civil kalon. Mendoj se nuk është mirë për Kosovën që një dokument kaq i rëndësishëm të dështojë në Kuvend, por ne nuk kemi hequr dorë nga ai dokument, sepse nuk i negociojmë të drejtat e njeriut”, ka thënë ajo.

Gjatë mbledhjes, Ekzekutivi ka miratuar po ashtu sanksione ndaj Rusisë që, sipas zëvendësministres së Punëve të Jashtme, Liza Gashi, janë të lidhura me vdekjen e opozitarit rus, Alexei Navalnyn.

Sanksione u janë vendosur edhe Republikës Islamike të Iranit, përkatësisht disa personave e subjekteve të përfshira në aktivitetet bërthamore e balistike dhe të tjerëve që ofrojnë mbështetje për Qeverinë e këtij vendi.

Gjatë mbledhjes janë marrë gjithsej 23 vendime, e në mesin e të cilave është edhe ai për sanksione ndaj Bjellorusisë.