Pagat në sektorin publik pritet të rriten vitin e ardhshëm për 55 euro në gjashtë muajt e parë, për të mbërritur në 110 në pjesën tjetër të vitit. Qeveria ka paraparë që kjo rritje të bëhet duke ngritur sasitë e koeficientëve e jo vlerën monetare të tyre. Në opozitë vlerësuan se forma e rritjes është e kundërligjshme. Kostoja e re e pagave është projektuar në Projektbuxhetin e 2025-s, i cili të mërkurën do të trajtohet në Qeveri
Qeveria ka paralajmëruar të martën rritje të pagave në sektorin publik në dy pjesë gjatë vitit të ardhshëm.
Nga janari pagat do të rriten për 55 euro e nga korriku rritja pritet të shkojë në 110 euro.
Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritjeje do të jetë rreth 120 milionë euro, që është paraparë me projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Rritja është paraparë të bëhet duke ngritur sasinë e koeficientëve e jo vlerën monetare të tyre.
“Vlera e një koeficienti mbetet 110 euro, mirëpo rritet sasia e koeficientëve për një njësi, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm për 0.5 njësi, pra për gjysmë njësie, dhe pastaj nga korriku i vitit të ardhshëm edhe për 0.5 njësi të tjera”, ka thënë Kurti.
Ai është lavdëruar se kjo rritje po bëhet falë rritjes ekonomike dhe menaxhimit më të mirë të parasë publike.
“Përgjatë qeverisjes sonë, kemi arritur që të rrisim të hyrat buxhetore si asnjëherë më parë. Teksa po përgatisim buxhetin për vitin 2025, të hyrat buxhetore të projektuara janë 3.3 miliardë euro. Kjo është për 90% më e lartë sesa niveli në vitin 2020, para qeverisjes sonë, apo nëse e krahasojmë me vitin parapandemik 2019, është 74% më e lartë. Të hyrat më të larta na kanë mundësuar edhe buxhet më të lartë, pa e ngarkuar arkën e shtetit me deficit buxhetor apo me borxh publik. Për vitin 2025, buxheti i planifikuar për shpenzim shënon nivelin mbi 3.6 miliardë euro, që krahasuar me vitin 2020 është për 60% më i lartë”, ka thënë Kurti.
E ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se në këtë mënyrë po ruhet qëndrueshmëria fiskale.
“Kësisoj edhe po e ruajmë qëndrueshmërinë fiskale, por edhe po sigurohemi që ata që janë kontribuesit më të mëdhenj për funksionimin e vazhdueshëm të administratës publike, të shërbimeve publike si mësuesit, zjarrfikësit, policët, ushtarët, administrata publike, pra profesionistët që punojnë këtu, të përfitojnë më së shumti nga kjo rritje. Gjithsesi, edhe në diskutimet që kemi pasur me partnerët tanë ndërkombëtarë, saktësisht me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka qenë një negocim i vazhdueshëm që ata t’i bindim, dhe falë disiplinës fiskale dhe maturisë sa i përket politikave fiskale qe kemi treguar në katër vitet e fundit, ka qene më e lehtë që të binden që të shkojmë me këtë version”, ka thënë Murati.
Por Ligji për Pagat thotë se ndalohet çdo ndryshim në strukturën, komponentët apo nivelet e koeficienteve të pagave.
Për ta bërë atë kërkohet amendamentim i Ligjit, të cilin Qeveria nuk e ka bërë.
Këtë formë të rritjes së pagave e kanë kontestuar në opozitë, duke e quajtur të jashtëligjshme.
“Ajo çka ka ndodhur, është për momentin e kundërligjshme dhe për të hyrë në fuqi do të duhej të hyjë në një procedurë Ligji i Pagave. Po mashtrohet një korpus prej 80 mijë njerëzve, prej të cilëve kërkon me këtë qasje, të bëhet një blerje votash”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
E në një konferencë për media, kryeministri Albin Kurti e ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë paralajmëruar se për vitin e ardhshëm buxheti i planifikuar për shpenzim do të jetë mbi 3.6 miliardë euro.
Të mërkurën Qeveria synon miratimin e tij dhe përcjelljen për në Kuvend.
Por trajtimi do të mund të përcillet me pengesa në Komisionin për Buxhet, ku pushteti aktualisht ka mbetur pa kuorum vendimmarrës, për shkak të largimit të Eman Rrahmanit nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe qëndrimit të partive opozitare për të mos marrë pjesë në votim.
Zëvendësimi i Rrahmanit duhet të bëhet në seancë me 61 deputetë, votat e të cilëve pushteti ka pasur shumë problem që t’i mbledhë që prej fillimit të këtij sesioni parlamentar.
Në partitë opozitare ka qëndrime të ndryshme sa i përket pjesëmarrjes në votim të projektligjeve e edhe të atij për buxhetin e 2025-s.
Për miratimin e projektbuxhetit kërkohet prezenca në sallën plenare e së paku 61 prej 120 deputetëve.
Miratimin nuk e sheh problem ministri Murati, i cili beson edhe në votën e opozitës.
“Ne kemi numra, kemi ende shumicën në Kuvend me gjithë lëvizjet e fundit që kanë ndodhur. Por gjithsesi, besoj që Ligji i Buxhetit duke qenë ligj tepër i rëndësishëm dhe jetik për qytetarët e vendit, për shërbyesit civilë, për pensionistët, pra nuk do të bëhet pjesë e betejës politike apo e ndonjë fushate zgjedhore”, ka thënë Murati.
Buxheti i 2025-s është projektuar të jetë për 300 milionë euro më i lartë se i vitit aktual.