Minatorët kanë hyrë në ditën e 23-të të grevës shkaku i mosmarrjes së pagave tash e dy muaj. Të enjten ata takuan kryeshefin e “Trepçës”, por ai nuk qe në gjendje t’ua japë një datë se kur do të paguhen për punën e kryer. Zgjidhjen e situatës e kanë kërkuar edhe nga ekzekutivi, i cili ka vendosur kushte për udhëheqësit e ndërmarrjes
Qeveria e Kosovës ka kushtëzuar mbështetjen financiare për “Trepçën” me zotimin e menaxhmentit dhe të bordit të kësaj ndërmarrjeje për rritje të prodhimit e të hyrave si dhe për ulje të shpenzimeve.
Sipas komunikatës nga Ekzekutivi, pavarësisht ndihmës në vlerë prej 3.3 milionë eurosh, “Trepça” ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhimin e të hyrave të pamjaftueshme.
“Megjithatë këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes. Ministria e Ekonomisë në mënyrë të vazhdueshme ka inkurajuar menaxhmentin e ndërmarrjes për të optimizuar shpenzimet. Së fundmi, me pranimin e kërkesës së ndërmarrjes për ndarjen e mjeteve financiare shtesë, Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Bordi mbikëqyrës dhe menaxhmenti që të prezantojnë një plan veprimi. Ne presim që të adresohen në mënyrë të qartë, efektive dhe të qëndrueshme sfidat e ndërmarrjes”, u tha nga Qeveria e Kosovës.
Reagimi i Qeverisë u bë në ditën e 23-të të grevës së minatorëve, të cilët thonë se tash e dy muaj nuk i kanë marrë pagat.
E Ekzekutivit menjëherë i ka reaguar Sindikata e Pavarur e Minatorëve të “Trepçës”.
Sipas Sindikatës, përgjegjësia duhet të kërkohet te menaxhmenti dhe bordi, të emëruar nga vetë Qeveria.
Ka bërë thirrje që për situatën të mos dëmtohen minatorët.
“Minatorët e kanë dëshmuar me punë dhe përkushtim obligimin që e kanë pasur, pra prodhimin sa më të lartë, edhe pse pa kushtet elementare për punë, siç është siguria në punë, që çdoherë kemi qenë të rrezikuar... Mjaft më! Është koha që të reflektoni ju si qeveri, sepse ne si minatorë ju kemi paralajmëruar shumë kohë më parë, pakënaqësinë tonë jemi munduar t`ua shfaqim edhe me ngujimin në minierë e me greva, por si duket as kjo nuk paska mjaftuar. Kuptojeni, nuk jemi duke kërkuar diçka jolegjitime, po e kërkojmë shpagimin e mundit tonë, pra pagën që buron nga Ligji i Punës”, u tha nga Sindikata.
Të enjten minatorët në shenjë proteste marshuan deri te zyrat e menaxhmentit, ku takuan edhe kryeshefin e “Trepçës”, Bashkim Kurti, i cili nuk qe në gjendje t`ua japë një datë se kur do të paguhen për punën e kryer.
Për shkak të mosekzekutimit apo të vonesës së pagave, minatorët patën hyrë në grevë për disa ditë edhe gjatë qershorit dhe prillit të sivjetmë. E në tetorin e vitit të shkuar 10 ditë qëndruan të mbyllur në ambientet e “Trepçës”.
Greva e vitit të shkuar ishte ndalur pas një marrëveshjeje të arritur me disa deputetë të partisë në pushtet - Vetëvendosje, në të cilën parashihej që pagat e minatorëve të mos vonoheshin më shumë se 10 ditë.