LAJMET E MBRËMJES

Qeveria insiston që BE-ja ta dërgojë draftin për Asociacionin në Venecia

Në prag të takimit të nivelit të lartë në Bruksel, Kosova po insiston që ndërmjetësit evropianë ta dërgojnë draftstatutin e Asociacionit në Komisionin e Venecias për opinion, opsion që është refuzuar më herët nga BE-ja. Në takimin e së mërkurës është paralajmëruar se do të diskutohet lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit

Në prag të takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut në Brukseli, Qeveria e Kosovës insiston se Bashkimi Evropian duhet ta dërgojë draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Komisionin e Venecias për opinion.

Para takimit të së mërkurës, ku do të marrin pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka thënë se nuk ka kuptim që Qeveria ta dërgojë draftin në Gjykatën Kushtetuese, siç po kërkohet nga BE-ja, meqë Kushtetuesja trajton vetëm aktet e miratuara me formë përfundimtare, e drafti është dokument i panënshkruar prej palëve. 

“Ai ka një përmbajtje, por nuk ka një formë në mënyrë që të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Institucionet e Bashkimit Evropian, në këtë rast zotëri Lajçak apo Borrell dhe mekanizmat përcjellës të tyre ta dërgojnë në Komisionin e Venecias”, ka thënë Qorolli. 

Përmes këtij veprimi, sipas tij, ndërmjetësit evropianë do t’i shtonin peshë legale këtij dokumenti.

“Institucionet e BE-së mund të dërgojnë dhe t’i kërkojnë një opinion këshillëdhënës, i cili nuk është obligues. Venecia pastaj dhe Gjykata Kushtetuese të bëhen dy vendime figurativisht. Zotëri Lajçak duhet të legjitimojë arsyen e vet dhe ta legalizojë, përndryshe s’ka kuptim”, është shprehur zëvendësministri Qorolli.

Njohësi i zhvillimeve politike Dritëro Arifi mendon se BE-ja nuk e ka obligim ta dërgojë draftin në Venecia.

“Bashkimi Evropian nuk e ka obligim të dërgojë asgjë askund. Në fund të ditës ai është obligim i yni ndërkombëtar që duhet ta zbatojmë. Është më shumë një narracion zgjedhor sesa që ka një racionalitet”, ka thënë Arifi.

analisti politik Dorajet Imeri vlerëson se dërgimi i draftit në këtë komision do t’i shërbente Kosovës.

“Do të ishte mirë për t’i dhënë një dimension më kritik përmbajtjes së këtij dokumenti. Natyrisht për t’i vijuar më tej në plotësimin e obligimeve ndërkombëtare që ka Kosova”, është shprehur Imeri.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në fillim të qershorit ka deklaruar se QUINT-i bashkë me BE-në e kanë bërë të qartë se i takon Kosovës të kërkojë këshilla ligjore prej Komisionit të Venecias për draftlegjislacione, përfshirë edhe për atë të Asociacionit.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, sikurse edhe sekuencim të balancuar ku asnjë nen nuk ka përparësi ndaj tjetrit dhe të respektohet fryma e marrëveshjes, që parasheh njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

Së fundi, i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se “Asociacioni do të themelohet” dhe se kjo është çështje më e madhe sesa një obligim “i thjeshtë” në kuadër të dialogut.

Takimi i së mërkurës është i pari i nivelit të lartë pas sulmit terrorist në Banjskë.

Një draft i Statutit të Asociacionit është publikuar vitin e kaluar prej ish-kryeinspektorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani. Ky draftstatut është përfolur gjerësisht si draftstatuti i propozuar nga BE-ja dhe autenticitetin e tij nuk e ka hedhur poshtë Qeveria e Kosovës. Ajo përmban 45 nene. Përcakton se selia e AKS-së është në Mitrovicë të Veriut. Parasheh që Asociacioni është person juridik dhe ka të drejtë të ushtrojë si padi në gjykata ashtu edhe të referojë raste në Gjykatën Kushtetuese. Draftstatuti parasheh edhe të drejtën e Asociacionit për të themeluar ndërmarrje publike. Bashkimi Evropian në bazë të këtij draftstatuti është hisedar në Asociacion kur ka konteste mes autoriteteve qendrore dhe AKS-së.

Kjo meqë mosmarrëveshjet mes AKS-së dhe autoriteteve të tjera të Kosovës lidhur me statutin e saj parashihen të zgjidhen me negociata ose me arbitër – ku hyn në lojë BE-ja.

“1. Çfarëdo kontesti mes Asociacionit dhe Autoriteteve Qendrore sa i përket zbatimit ose interpretimit të këtij statuti, që nuk mund të zgjidhet me negociata direkte apo mjete të tjera, me kërkesë të palëve do të referohet për arbirtin në një komision arbitrazhi. Komisioni i Arbitrazhit do të ketë në përbërje anëtarë të nominuar prej secilës palë, si dhe një tjetër ndërmjetësues do të emërohet si kryesues i komisionit me konsensus mes palëve në kontest. 2. Nëse brenda tre muajve palët nuk nominojnë arbitrin përkatës, atëherë ky arbirër caktohet prej Bashkimit Evropian”, thuhet ndër të tjera në këtë draftstatut.

Kosova ka kërkuar që t’i respektohet integriteti territorial, të mos pengohet në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, si dhe të trajtohet siç e parasheh marrëveshja për rrugën drejt normalizimit me respekt për “pavarësinë dhe integritetin territorial.

Kryeministri Kurti ka kërkuar që të nënshkruhet marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, derisa BE-ja ka deklaruar se kjo marrëveshje është ligjërisht e obligueshme dhe se tashmë zbatimi i saj është kusht për avancimin si të Kosovës. ashtu edhe të Serbisë drejt BE-së. Pas takimit ku palët u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje vitin e kaluar në Ohër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati deklaruar se nuk e nënshkroi marrëveshjen meqë “i dhimbte dora e djathtë”.

Sivjet, më 17 prill BE-ja ka konstatuar se Serbia ka shkelur edhe Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes pasi ndaloi kalimin e qytetarëve të Kosovës nëpër pikat kufitare të Serbisë, në shprehje të mllefit ndaj vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për aprovim të raportit pro-anëtarësimit të Kosovës në KiE. Sivjet ka arrestuar policë të Kosovës, përfshirë edhe njërin prej zëvendësdrejtoreve të përgjithshëm, për veprimtari antikushtetuese e që më pas u liruan pas trysnisë ndërkombëtare. Ndërkohë, derisa rruga e Kosovës drejt KiE-së u hap pasi Qeveria e Kosovës përmbushi kërkesën e ndërkombëtareve për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronat e Manastirit të Deçanit, ajo u pre në gjysmë, meqë bashkësia ndërkombëtare, duke i përfshirë edhe shumicën e deputetëve të Asamblesë së Këshillit të Evropës, kërkoi hapa konkretë drejt themelimit të AKS-së – dërgimin e draftstatutit në Kushtetuese.