Zyrtarë të Qeverisë i kanë fajësuar pararendësit për firmosje të kontratave të dëmshme, tek kanë arsyetuar ndarjen e mbi 21 milionë eurove për pagesën e dëmshpërblimit ndaj kompanisë “Contour Global”, pas humbjes së rastit në arbitrazh. Ndaj akuzave të Qeverisë ka reaguar ish-kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë qeverisjes së të cilit është nënshkruar kontrata për termocentralin “Kosova e Re”
Mbi 21 milionë euro ka ndarë të mërkurën Qeveria për pagesën e dëmshpërblimit ndaj “Contour Global”, pas humbjes së rastit në arbitrazh.
Kryeministri Albin Kurti i ka fajësuar pararendësit e tij për nënshkrimin e kontratës si dhe për pasojat e saj. Ai ka thënë se projekti nuk ka qenë i ideuar që të realizohet e as që të jetë i dobishëm për Kosovën.
“Për fat të keq ndërprerja e qeverisjes sonë në pranverën e vitit 2020 dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese la zbrazëti për ta trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar që Kosova mos të kishte pasoja të tilla. Kështu siç kanë shkuar ngjarjet, krijohet bindja se asnjëherë ky projekt nuk ka pasur plan ta gjejë financimin e duhur, por është mjaftuar me idenë e një arbitrazhi të mundshëm që t’ia marrë paratë Kosovës. Me gjithë pasojat, është shumë më mirë që i njëjti nuk është realizuar, sepse një mbrapshti e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, ka deklaruar Kurti.
Në fund të vitit 2017, Qeveria e ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë, i cili do të kushtonte 1.3 miliardë euro.
Vetëvendosja ka qenë kundër kushteve të kontratës. Dhe, me ta marrë pushtetin kjo parti, “Contour Global” qe tërhequr.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se vendimet e dëmshme të qeverisjeve të kaluara janë duke e ndjekur edhe aktualen.
“Një marrëveshje e cila ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2017 përmbante vetë nënshkrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj. Qeveria Haradinaj e kishte nënshkruar këtë marrëveshje përkundër të gjitha paralajmërimeve nga opozita, nga shoqëria civile dhe nga ekspertët e fushës që një kontratë e tillë nuk duhej të nënshkruhej”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se pa llogaritur telashet e tjera vetëm në klauzolën për dëmshpërblim ka pasur pabarazi.
“Nëse shohim klauzolën që në rast të arbitrazhit dhe në rast të procesit gjyqësor sa shpërblehet njëra palë dhe sa tjetra, aty mund ta shohim pabarazinë dhe asimetrinë e kësaj kontrate. Në rast se dëmi do të duhej t’i shpaguhej Republikës së Kosovës, kostoja kufizohej në 8 milionë euro, kurse në rast se dëmi do të duhej t’i paguhej ‘Contur Globalit’ kostoja ishte 19.7 milionë euro. Pra ishte dyfish e gjysmë më shumë për kompaninë sesa për shtetin, pavarësisht se do të duhej të ishte i barabartë së paku”, ka thënë Murati.
Më gjithë humbjen prej 21 milionësh, kryeministri Kurti ka thënë se me Avokaturën Shtetërore, gjatë qeverisjes së tij, është fituar disa herë më shumë se shuma që është humbur.
“Ajo çfarë kemi fituar është shtatëfishti i kësaj shume që duhet të paguhet për shkak të humbjes në tribunal nga një kontratë kapitullues të një qeverie të më hershme”, ka thënë ai.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka theksuar se Kosova po zbaton vendimin e tribunalit të arbitrazhit dhe se nuk ka pasur ndonjë mundësi për ndryshim të tij.
“Kjo ka qenë diçka e cila ka qenë e pamundur të evitohet përgjatë fazës së mbrojtjes. Avokatura e shtetit dhe kompania kanë bërë gjithçka çfarë ka qenë e mundshme. Dhe këtë Avokatura e Shtetit dhe kompanitë të cilat e kanë përfaqësuar Kosovën gjatë mandatit tonë qeverisës kanë pasur suksese të jashtëzakonshme në të gjitha rastet e tjera ku kanë arritur të fitojnë dhe ta mbrojnë buxhetin e shtetit prej shumave shumë më të mëdha”, ka thënë Rizvanolli.
Ndaj kritikave ka reaguar ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se Kurti është “edhe kryeministër i dobët, edhe njeri i poshtër”.
“Me krenari dhe me lëvdata e ka pasë shkelë kontratën me ‘Contour Global’ (ministrja e tij i ka dërgu letër dhe ia ka ndërprerë përkrahjen) e me faqe të zezë përgjegjësinë për dëmshpërblim po e heqë prej vetes. E pabesueshme ku ka mbërri logjika e politikës trushpërlarëse e Kurtit. Kurti e la Kosovën edhe pa 500 MË energji, ku që nga viti 2023 do t’i përfitonte Kosova me çmim prej 83€ e në ndërkohë ka blerë energji deri në 600€ e qytetarit të shkretë jo një, por dy herë ia ka rritë çmimin e energjisë. Kjo është politika e mashtruesit Albin Kurti. E gjuan gurin, e vjedh popullin dhe në mënyrën më të poshtër e fsheh dorën”, ka shkruar Haradinaj.
Punimet për ndërtimin e termocentralit ishte paraparë të fillonin më 2020, ndërsa ai të vihej në punë më 2023. Por, në mars të vitit 2020, “Contour Global” njoftoi për tërheqjen nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por, po ashtu, edhe për arsye të ndryshimeve politike që kishin ndodhur në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, atëkohë në opozitë, ishte shprehur kundër ndërtimit.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e mbajtur të mërkurën miratoi edhe disa vendime të tjera, në mesin e së cilave ato për nisjen e procedurave të tenderimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese nga era, për shpronësimin e disa pronave që preken nga zgjerimi i rrugës Kijevë-Zahaq, si dhe për projektin e Kompleksit Memorial të Masakrës së Reçakut.
Sipas ministres Rizvanolli, ndërtimi i kapaciteteve prej 100 megavatë energji nga era do të jetë i ndarë në dy procese konkurruese dhe do të ofrojë marrëveshje për blerjen e energjisë për së paku 15 vjet.
Sipas saj, shuma preliminare e ndërtimit të projektit është rreth 200 milionë euro.
“Mirëpo, kjo do të varet shumë edhe nga kapacitetet që do të vijnë si oferta, edhe nga çmimet e tregut të cilat lëvizin gjithmonë. Sa i përket kohës së realizimit, mesatarisht në Evropë për ndërtimin e një parku të erës duhen shtatë vjet me të gjitha procedurat e studimeve paraprake, të përgatitjes së infrastrukturës përcjellëse, të marrjes së lejeve mjedisore”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, në lidhje me shpronësimet e bëra, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka thënë se është arritur që borxhi i trashëguar të zvogëlohet në 24 milionë euro.
“Borxhet që i kemi trashëguar në shpronësim që kanë qenë në total në 184 milionë euro dhe nga të cilat 102.8 milionë kanë qenë vetëm për pronarë të pronave private, sot kemi arritur ta zvogëlojmë deri në vlerën 24.3 milionë. Të gjitha paratë dhe mbase që janë shtuar edhe shpeshherë në rishikime të buxhetit në fushën e shpronësimit, ministria ka arritur t’i realizojë sepse kjo ka qenë edhe një ndër pengesat kryesore për realizimin e projekteve”, ka thënë ai.
Aliu në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë ka thënë se edhe projektet rrugore që janë në punë, janë duke u realizuar me ritme të shpejta.
Ndërkaq, sa i përket hekurudhës Durrës-Prishtinë, ai tha se Kosova është e gatshme që ta vazhdojë pjesën e projektit.
“Kemi arritur në fazën e gjetjes së propozimit të varianteve të ndryshme që janë dhënë dhe jemi në fazën e krahasimit të varianteve. Ato variante na janë propozuar. Duke e parë që ky projekt tashmë po merr rrugë, kemi edhe shfaqjen e interesimit edhe nga faktorët e tjerë financiarë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë që të jenë të përfshirë në realizimin e këtij projekti. Përndryshe, ky projekt varësisht prej pozicionit që do të japë, se a do të jetë varianti që e lidh Gjakovën me Shkodrën, apo do të jetë varianti që e lidh Prizrenin me Milotin, është çështje që më shumë do ta tregojë fizibiliteti, sepse më shumë është pjesë e territorit të Shqipërisë”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e së mërkurën, Qeveria ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”. Kryesues ka emëruar Mentor Berishën, ndërkaq anëtarë Fadil Bejtën, Merita Gashin, Alban Krasniqin dhe Sadije Gashin.