Në ditën e tretë të dëshmisë në Hagë, ish-shefi i Zbulim-kundërzbulimit në Zonën e Pashtrikut, Halil Qadraku, theksoi se Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk kanë marrë pjesë në luftime gjatë viteve 1998 e 1999. Ai të mërkurën u përball nga prokuroria edhe me deklaratat dhënë më 2019 e për të cilat tha se mund të jetë keqkuptuar
Ish-shefi i Zbulim-kundërzbulimit në Zonën Operative të Pashtrikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Halil Qadraku, u përball të mërkurën nga prokurori James Pace me deklaratën që ia ka dhënë prokurorisë më 2019, e në të cilën Ferat Shalën e Elmi Reçicën i ka përshkruar si bashkëpunëtorë të afërt të Kadri Veselit.
Në ditën e tretë të dëshmisë në rastin e ish-udhëheqësve të UÇK-së, Qadraku tha se këtë deklaratë e ka dhënë, duke aluduar në periudhën e pasluftës.
Por prokurori Pace insistoi se bëhet fjalë për periudhën kur zhvillohej Konferenca e Rambujesë.
“’Ferat Shala dhe Elmi Reçica, unë nuk e di a ishin zëvendës apo anëtarë të Shtabit, por e di që i kam takuar në Shtabin e Përgjithshëm’. Këtu bëhej fjalë për Kadri Veselin. Ndërkohë që gjatë pyetjeve të ekipit të mbrojtjes ju thoni që besoni që ata kanë qenë shefat e G2-shit në Drenicë dhe Nerodime, dhe keni deklaruar po ashtu se nuk e dinit se çfarë pune bënin ata. Pyetja ime është kjo: Ndërkohë që nuk e dinit në mënyrë të saktë se çfarë pune bënin ata, ju e kishit kuptuar që ata punonin për zotëri Veselin ose si zëvendës të tij apo anëtarë të stafit të tij?”, ka pyetur prokurori.
“Unë tani i njoh, mirëpo nuk më kujtohet konkretisht se kur i kam parë ata dy. Mund të kem thënë që mendoj, sepse ata pas luftës kanë punuar si bashkëpunëtorë të Kadri Veselit, mendoj, ashtu edhe kam dëgjuar, ndoshta e kam thënë në këtë kontekst”, është përgjigjur dëshmitari Qadraku.
Dëshmitari tha se gjatë luftës nuk ka punuar, nuk u ka raportuar dhe as nuk ka marrë urdhra nga Shala e Reçica.
Lidhur me komunikimet e Reçicës me Veselin ishte pyetur edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja. Në dëshminë në Hagë, Buja kishte thënë që Reçica i raportonte atij e jo Veselit.
E Qadraku, për Thaçin e Veselin tha se janë marrë me diplomaci e jo me luftime.
“Në asnjë gazetë as të kundërshtarëve e as në tonat nuk kam dëgjuar t’i thuhet Hashim Thaçit, gjeneral Hashim Thaçi, në asnjë gazetë, libër nuk ka gjeneral Kadri Veseli dhe kjo e dëshmon se ata nuk kishin aktivitet të tyre ushtarak operacional gjatë viteve ‘98-‘99, por kishin më shumë detyra të kontaktonin me struktura ndërkombëtare”, ka thënë Qadraku.
E gjykatësi Christoph Barthe e pyeti Qadrakun se përse sa ka qenë pjesë e komisionit vlerësues të aplikimeve për statusin e veteranit, i ka refuzuar kërkesat e anëtarëve të FARK-ut.
“E kam fjalën vetëm për anëtarët e FARK-ut, sepse qëndronin në ato pozicione, në Tiranë me fodullëk duke shikuar në ekranet televizive se si vritej populli, se si vriteshin ushtarët, se si vriteshin fëmijët dhe rrinin duarkryq nga atje, edhe atëherë edhe sot prapë e mendoj se ata nuk e meritojnë të jenë veteranë luftëtarë, sepse s’kanë qenë në luftë”, ka thënë dëshmitari Qadraku.
Gjyqtari Barthe i ka shtruar edhe pyetje të tjera për LDK-në.
“Keni përmendur edhe kërkesën e përhershme të LDK-së për të hyrë në marrëveshje me Millosheviqin dhe Millutinoviqin për t’i dhënë Kosovës autonomi, po kjo nuk përmbushte aspiratën tuaj dhe të të tjerëve për Kosovën dhe kjo ishte një marrëveshje e favorshme për Kosovën dhe nuk ishte më e mirë se marrëveshja e 23 marsit 1989. Fillimisht a ju kujtohet që ia keni thënë prokurorisë dhe nëse po a na shpjegoni çfarë keni dashur të thoni me këto fjalë?”, ka qenë pyetja e gjyqtarit.
“Serbia okupatore, Kosovës më 23 mars 1989 ia suprimon autonominë. Autonomia e atëhershme ishte me lidhje federative, 10 vjet pas asaj kryetari ynë historik bën një marrëveshje me Millutinoviqin dhe pastaj edhe me Millosheviqin, për një autonomi tjetër, autonomi kjo që nuk ishte më në bazë federative sepse Jugosllavia u shpërbë por kishte bazë vetëm Serbinë mbi të. Kjo autonomi, për mua ishte 50 më e vogël se ajo autonomi që na u suprimua më 1989. Prandaj, mendoj se ajo marrëveshje ka qenë qëllimkeqe dhe dashakeqe”, ka thënë dëshmitari Qadraku. “Ajo marrëveshje ka qenë poshtëruese për popullin tonë, për viktimat tona që kishim deri në atë kohë kur ai e ka bërë, se marrëveshja është bërë më 1 maj 1999, ne në atë kohë kishim mbi 13 mijë viktima, kishim mbi 20 mijë gra të dhunuara”.
Gjyqtari ka vazhduar pyetjen, duke thënë nëse nga pikëpamja e dëshmitarit, duke u kërkuar që të hyhej në marrëveshje me Millosheviqin dhe Millutinivoqin, kjo do të thoshte se në këtë rast LDK-ja ose të paktën përfaqësuesit e LDK-së po dëmtonin betejën dhe përpjekjet e UÇK-së për çlirimin e Kosovës.
Qadraku tha se ky interpretim është i gabueshëm.
“Nuk mendoj që LDK-ja ka gisht këtu. Kurrë nuk ka mbajtur LDK-ja një tubim, një mbledhje të partisë që të vendosë apo të autorizojë kryetarin e tyre historik që ta bëjë marrëveshjen me Millosheviqin apo Millutinoviqin. Marrëveshja e tij me Millosheviqin është bërë, mendoj sepse s’kam lexuar ndonjë konsultim të tij paraprak me dikë, këtu s’kam fajësuar kurrë LDK-n, sepse mbaj mend që kur ka bërë atë marrëveshje, nga Shkupi janë lajmëruar 212 intelektualë të LDK-së të cilët deklaruan që nga sot nuk njohin nënshkrimin e Ibrahim Rugovës, çfarëdo që të vendosë ai në Beograd. Kështu që, marrëveshja Millosheviq-Rugova, nuk ka qenë produkt i LDK-së, ka qenë produkt i tij personal”, është përgjigjur dëshmitari.
Gjyqtari e ka pyetur edhe për qeverinë në ekzil.
“Po për qeverinë e Bukoshit, qeverinë në mërgim, a është pikëpamja juaj që ata kanë punuar atëherë kundër interesave të UÇK-së dhe kundër interesave të popullatës së Kosovës në atë kohë dhe nëse po, a e besoni ende këtë gjë?”, ka pyetur Barthe.
“Bindja ime për qeverinë e atëhershme të Kosovës, ata nuk kanë vepruar dhe unë i akuzoj pse s’kanë vepruar dhe jo pse kanë vepruar. Sepse mosveprimi i tyre i ka bërë vetvetiu që ata të jenë lojalë, të jenë të poshtër, të jenë vetëm spektatorë nga larg të të gjitha fatkeqësive që kanë ndodhur në Kosovë. Mosveprimi i tyre ishte i keq, e jo vepra”, është përgjigjur dëshmitari.
Qadraku është pyetur se çfarë priste prej tyre që të bënin.
Ai ka thënë se qeveria në ekzil do të duhej të kontaktonin, të punonin dhe të vepronin që UÇK-së t’i siguronin mjetet e mundshme për luftimin e okupatorit.
“Ishin krijuar kinse për Kosovën Republikë, ata punonin kinse për Kosovën Republikë mirëpo kurrë nuk e quajtën Serbinë okupatore e sidomos pas 23 marsit 1989, kurrë nuk kam lexuar në programin e tyre që e cilësojnë Serbinë si okupatore, e përderisa nuk e cilëson okupatore ti as nuk mund të veprosh kundër saj, sepse duhet çliruar. Kështu mendoj që ata kanë dështuar, e me dështimet e tyre na kanë dëmtuar si shtet, si popull, si ushtri, si rini, si çdo gjë”, ka thënë ai.
Dëshminë Qadraku do ta vazhdojë edhe të enjten.