Subjektet politike të cilat garojnë për zgjedhjet e 9 shkurtit kanë marrë gjoba në vlerë prej 75 mijë e 500 eurosh vetëm të premten. Shuma maksimale e shqiptuar nga PZAP-ja për një subjekt politik është 20.000 euro
75 mijë e 500 euro është vlera e gjobave të cilat ua ka shqiptuar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) subjekteve politike vetëm të premten.
Gjoba më e lartë që e ka dhënë ky institucion është 20.000 euro. Ajo i përket koalicionit rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, meqë kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, i cili i përket kësaj partie, e ka quajtur të pafytyrë dhe pakurrizore kandidaten për deputete të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Donika Gërvalla.
“Sipas Panelit, përmbajtja e deklarimeve të tilla konsiderohet gjuhë nxitëse dhe urrejtëse kundrejt znj. Gërvalla dhe kjo konsiderohet shkelje e rregullave zgjedhore në Kosovë, ngase veprimi i marrë në kohë të fushatës zgjedhore ka për qëllim të krijojë atmosferë tensioni ose të nxisë ndjenja të urrejtjes dhe të përçarjes”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Më 31 janar, PZAP-ja i ka publikuar 11 vendime gjobitëse. Me dy gjoba me nga 10.000 euro është sanksiouar Partia Demokratike (PDK). Njëra i është shqiptuar për brohoritjet e mbështetësve të PDK-së afër tubimit të Vetëvendosjes në Skenderaj, ndërsa tjetra për sharjet dhe fyerjet në rrjete sociale, shkaku i këtij tubimi.
Lidhja Demokratike (LDK) është gjobitur kryesisht për posterat në hapësira publike, me katër vendime në vlerë prej 17.500 eurosh. Koalicioni për Familje është gjobitur me 7.500 euro, për shkak të gjuhës kundër komunitetit LGBTI+. Lëvizja Vetëvendosja është gjobitur me 5.000 euro, për një deklaratë të një simpatizanti, i cili në medie i ka paraqitur partitë opozitare si të afërta me Milan Radoiçiqin dhe me Serbinë. Po me 5.000 euro gjobë PZAP-ja e ka sanksionuar edhe Listën Serbe për vendosje të posterave në hapësira publike. Ndërkaq, një kandidat i Partisë së Ashkalinjve për Integrim është gjobitur me 1 mijë euro për përpjekje që të mbledhë vota, duke u shpërndarë ndihma familjeve të varfra.