LAJMET E MBRËMJES

PZAP-ja gjobit me 40 mijë euro LVV-në, me 10 mijë LDK-në

Më 29 janar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka nxjerrë disa vendime për shkelje të ligjit gjatë tubimeve elektorale. Shkaku i shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, partia në pushtet është gjobitur me 39 mijë e 500 euro, e LDK-ja me 9 mijë e 500 euro

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka gjobitur me 49 mijë euro në total dy subjekte politike, për shkak të shkeljeve së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

LVV-ja është gjobitur me 39.500 euro, kurse LDK-ja me 9.500 euro.

Gjobën më të madhe LVV-ja e ka marrë për shkak të deklaratave të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, e cila gjatë tubimit në Deçan e quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”.

Për këtë PZAP-ja i shqiptoi gjobë LVV-së prej 10 mijë eurosh.

“Paneli, pas shikimit të publikuar në rrjetin social Facebook – videoincizimit të ofruar si provë materiale, shihet se kandidatja për deputete nga radhët e listës Guxo, Donika Gërvalla-Schwartz, ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese duke nxitur urrejtje ndaj subjekteve të tjera politike në garë”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

Një postim në rrjetin social në Facebook i këshilltarit të Kuvendit, Feim Tahirsylaj, i cili kishte shkruar se “fitorja e opozitës do të ishte fitore vendimtare për Serbinë gjenocidale”, u bë shkak që Lëvizja Vetëvendosje të dënohet me 5 mijë e 500 euro.

Me shumë të njëjtë kjo parti u dënua edhe për postimin e kandidatit për deputet, Haxhi Avdyli. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vlerësoi se ai përdori gjuhë urrejtëse dhe nxitëse kundrejt partive kundërshtare.

LVV-ja u dënua edhe me 8 mijë euro për shkak që akterë të partisë penguan gazetarët në kryerjen e punës gjatë tubimit në Malishevë dhe Mitrovicë ditë më parë.

Sipas vendimit të PZAP-së, gjatë pengimit kanë përdorur edhe gjuhë që nxit dhunën ndaj gazetarëve.

Lëvizja Vetëvendosje u gjobit me 5 mijë e 500 euro, edhe për deklaratat e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila në një tubim në Viti ka deklaruar: “Kundërshtarët tanë janë bërë bashkë, pra klanet e krimit dhe korrupsionit janë bërë bashkë”.

Përveç fjalimeve, partia në pushtet nga PZAP-ja u gjobit me 5 mijë euro edhe për shkak të pjesëmarrjes së fëmijëve në tubimet zgjedhore.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës u gjobit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kjo parti u dënua me 5.500 euro për shkak të vendosjes së posterëve në hapësira publike.

Për të njëjtën arsye u dënua edhe me katër mijë euro për vendosjen e posterëve në rrugë publike në Pejë.

“Paneli nga fotografitë e ofruara si provë nga parashtruesi i ankesës, të cilat gjenden në shkresat e lëndës, në mënyrë të padyshimtë ka konstatuar se subjekti politik LDK ka vendosur posterin e kandidatit për deputet Arben Gashi në hapësira publike e që për të njëjtin veprim subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë shkelje, sepse ndalohet vendosja e emrave të tyre ose e sloganeve në lidhje me fushatën zgjedhore brenda ose jashtë ndërtesave publike”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

LVV-ja dhe LDK-ja janë obliguar nga PZAP-ja që gjobat t’i paguajnë brenda afatit prej 15 ditësh.