LAJMET E MBRËMJES

Pushtetin e opozitën i bën bashkë Bajrami, bëjnë thirrje për bashkim e solidaritet

Përfaqësues të Kishës Katolike e politikanë të shumtë i shkuan të dielën myftiut Naim Tërnava në zyrat e Bashkësisë Islame. Famullitari Agim Qerkini i uroi shqiptarët myslimanë, kryeministri Kurti bëri thirrje për bashkim, e përfaqësues të partive opozitare bënë thirrje për solidaritet. Urime të shumta u bënë edhe përmes rrjeteve sociale

Selia e Bashkësisë Islame të dielën hapi dyert për mysafirë që shkuan për t’i shprehur urimet për festën e Kurban Bajramit.

Myftiu Naim Tërnava më së shumti priti e përcolli politikanë. Për vizitë, si zakonisht, pati edhe përfaqësues të Kishës Katolike.

Famullitari i katedrales “Nëna Terezë”, Agim Qerkini, uroi shqiptarët e besimit islam, e përkujtoi edhe ditën e çlirimit.

“Këto ditë ishim në festë edhe me rastin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës kemi vazhduar t’i përkujtojmë njerëzit që kanë pësuar aq shumë gjatë luftës. Pastaj i kujtojmë edhe të pagjeturit, familjet e tyre. Festat gjithmonë njohin shpirtin njerëzor dhe rikthejnë shpresën”, ka thënë Qerkini.

Kryeministri Albin Kurti bashkë me një numër ministrash i ka shkuar myftiut për urime, e nga aty ka bërë thirrje për bashkim.

Kreu i ekzekutivit e ndau edhe një histori personale me myftiun nga fëmijëria e tij.

E në mesazhin e tij, Kurti ka thënë se shoqëria e një kombi duhet të jenë bashkë me njëri-tjetrin.

“Kurban Bajrami është festë në të cilën të mirat materiale i ndajmë me të afërmit, miqtë, fqinjët, por gjithashtu edhe me ata që janë të varfër e nevojtarë. Paralelisht me këtë ndajmë edhe kohë, dashuri, mirësjellje e dashamirësi. Sepse në shoqëri e në komb duhet të jemi bashkë”, ka thënë Kurti.

Nga opozita, grupit nga Partia Demokratike i priu Bedri Hamza, kryetari aktual i Mitrovicës së Jugut dhe kandidat i këtij subjekt për kryeministër.

“Është një festë ku realisht edhe njerëzit janë më bujarë, më solidarë, falin dhe pajtohen. Gjithmonë në këto festa uroj të ketë gëzime, begati e harmoni që të punojmë bashkë për progres dhe prosperitet”, ka thënë Hamza.

Për urime në BIK, ishin edhe nga Lidhja Demokratike dhe AAK-ja. Ato u përfaqësuan nga kryetarët e tyre, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj.

“Një shoqëri që beson në zot, që përkujdeset për familjen dhe për njëri-tjetrin, për atdheun dhe vendin, është shoqëri që ka prosperitet”, ka thënë Abdixhiku.

Urim dha edhe Haradinaj.

“Ta gëzojmë bashkë, t’i gjendemi njëri tjetrit dhe të jetojmë me porosinë e festës që është edhe sakrifica edhe solidariteti i ndërsjellë. Urime, me fat”, ka thënë Haradinaj.

Si përfaqësues të Kuvendit, zyrat e BIK-ut i vizitoi nënkryetarja Saranda Bugujevci bashkë me disa deputetë të Vetëvendosjes.

“Festa e Kurban Bajramit ndërlidhet me sakrificë por edhe me mirësi. Ne si popull kemi kaluar në momente të vështira, me shumë sakrificë dhe falë zotit jemi këtu ku jemi”, ka thënë Bogujevci.

Ndërsa në mesazhin e urimit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se në këtë ditë shpërfaqet “tradita dhe shpirti solidar”.

“Festa e Kurban Bajramit na bashkon duke na kujtuar vlerat më të mira të njerëzimit. Në këtë ditë të bekuar, hapim jo vetëm dyert e shtëpive, por edhe zemrat tona për të ndarë diçka nga vetja me ata që kanë nevojë. Uroj që shtëpitë tuaja të jenë të mbushura me gëzim, dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë në këtë ditë feste. Me fat festa e Kurban Bajramit!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo të dielën ishte jashtë vendit, pasi mori pjesë në Samitin për Ukrainën, që u mbajt në Zvicër.

Besimtarët myslimanë i kanë uruar edhe kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

“Sakrificë dhe solidaritet, këto na i sjell ndërmend Kurban Bajrami si falënderim për Krijuesin. Në këtë frymë, të gjithë besimtarëve myslimanë ua uroj këtë festë të bekuar! Uroj që në këtë ditë të shenjtë dhe përgjithnjë, në shpirtin e secilit të frymojë mirësia e përkujdesja, mirënjohja për çka kemi dhe zemërgjerësia ndaj atyre që nuk kanë. Mesazhi i kësaj feste na fton të reflektojmë për të kuptuar thelbësisht vlerën e sakrificës si themel të bashkësisë shoqërore dhe njerëzore. Kjo ditë na tregon se shtrirja e dorës ndaj atyre më në nevojë mes nesh, e zgjeron shpirtin dhe ai gjen vetveten te kjo përfshirje barazitare, përkundër përjashtimit. Gëzim e shëndet, paqe, mirësi e begati në familjet tuaja!”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

“Urimet e mia më të ngrohta me rastin e Kurban Bajramit për të gjithë ata që e festojnë në Kosovë dhe mbarë botën!”, ka shkruar Hovenier në platformën “X”.