LAJMET E MBRËMJES

Pushteti s’përballet me akuzat e opozitës për ndërhyrje të jashtëligjshme në KEK

Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, deputetë të partive opozitare kanë shprehur shqetësim se në Korporatën Energjetike të Kosovës ka keqmenaxhim e ndërhyrje të jashtëligjshme nga persona të partisë në pushtet. Deputetët e partisë në pushtet dhe as anëtarët e kabinetit qeveritar nuk u përballën me akuzat, meqë kjo është seanca e katërt e bojkotuar nga ta

Seanca e katërt e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për të diskutuar për skandale dhe keqmenaxhime në KEK, u zhvillua pa praninë e pushtetit, por edhe në mungesë të liderëve të tri partive opozitare.

Ndryshe nga tri seancat e tjera që u udhëhoqën nga nënkryetarë të Kuvendit që u përkasin partive opozitare, në atë të së enjtes mori pjesë kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Përfaqësues të LDK-së që e thirrën seancën, kritikuan kryetarin për mungesën e mëhershme.

E, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, e cilësoi si alarmante situatën në KEK e cila tha se është shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe ndërhyrjet e jashtëligjshme partiake.

Ai ka treguar tri çështjet, për të cilat duhej të zhvillohej diskutimi: skandali me tenderat njëburimorë dhe mungesa e prokurimit publik në KEK, shitblerja e energjisë elektrike dhe ndikimi financiar në buxhetin e ndërmarrjes, si dhe ndërhyrja e personave jashtinstitucionalë në menaxhimin e KEK-ut.

“KEK-u ka lidhur kontrata të pafavorshme që kanë dëmtuar buxhetin e ndërmarrjes. Ka vendime të formës së prerë nga gjykata lidhur me tregtinë e energjisë, ku dëmi llogarit qindra miliona euro. Raportet tregojnë se individë pa rol formal në KEK kanë ndikuar në dhënien e tenderave, punësime të jashtëligjshme dhe tregtinë e energjisë elektrike – duke shkaktuar favorizime dhe shkatërruar integritetin institucional”, ka deklaruar Gashi. “Kuvendi duhet të adresojë këto shqetësime dhe masat që duhet të merren për të rritur menaxhimin në KEK. Kuvendi duhet të sigurojë që KEK-u të funksionojë sipas standardeve profesionale dhe duke respektuar ligjin”.

Ai propozoi një rezolutë 7-pikëshe që, mes tjerash, kërkon nga Qeveria emërimin e një bordi të pavarur në KEK. 

“Kuvendi kërkon një hetim të plotë për rolin e personit të quajtur Dejona Mihali dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në menaxhimin në KEK dhe në proceset e rekrutimit, duke përfshirë punësimet e jashtëligjshme”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, përfaqësues të PDK-së thanë se Lëvizja Vetëvendosje është përgjegjëse për abuzimet në KEK, të cilat, sipas tyre, kanë nisur prej 5 vjetësh, kur kjo parti e ka marrë mandatin e parë qeverisës.

“Buxheti që është shpenzuar për këto vite e kalon shifrën e 600 milionë eurove që në fakt nuk e dimë saktësisht a janë menaxhuar nga borde, a janë menaxhuar nga drejtori, a janë menaxhuar nga Dejona, a janë menaxhuar nga Nagipi apo nga Martini”, ka thënë Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së.

E shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, kritikoi deputetët e partive në pushtet dhe anëtarët e kabinetit qeveritar, për bojkotim të seancës.

“As nuk janë kolegët deputetë të shumicës e as nuk është asnjë njeri i Qeverisë së Kosovës një fjalë ta thotë, ta mbrojë apo kundërshtojë apo argumentojë një temë që tanimë është një skandal jo vetëm për rendin dhe ligjin, por është skandal publik që meriton përgjigje”, ka thënë Tahiri.

Deputetët opozitarë ironizuan edhe me kryeministrin Albin Kurti, i cili gjatë fushatës zgjedhore tha se për abuzuesit e parasë publike, burgu i Dubravës do të ngrihej në 12 kate.

“Jo që nuk e bëri Dubravën 12 kate, por për 4-5 vjet arriti ta legalizojë korrupsionin”, ka thënë deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu.

Në këtë frymë ka folur edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Thoshin hajnat në burg. Unë nuk e di a ka kapacitete burgu i Dyzit që t’i zërë gjithë këta hajnat e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ajo.

Pas përfundimit të debatit, drafti i rezolutës së opozitës nuk doli në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

PDK-ja ka nisur konsultimet me partitë e tjera opozitare për të ftuar edhe një seancë tjetër të jashtëzakonshme për javën e ardhshme, në të cilën planifikohet të debatohet për RTK-në dhe synohet miratimi i rezolutës për shkarkimin e bordit të transmetuesit publik.