LAJMET E MBRËMJES

Pushteti në Prishtinë rimerr shumicën, shkarkon kryeasamblistin dhe kthen ndërmarrjet publike

Kuvendi Komunal në Prishtinë pasi ka rimarrë shumicën, ka shkarkuar kryesuesin e Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina. Po ashtu pushteti në kryeqytet ka arritur që prapë t’i kthejë ndërmarrjet publike komunale, që opozita ua mori në një seancë të jashtëzakonshme më 8 qershor.

Shkarkimi i aksionarëve të ndërmarrjeve publike komunale u bë prapë “mollë sherri”, në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Edhe pse nisi me një orë vonesë, zhvillimet nuk munguan, në mbledhjen e pestë për muajin qershor të Kuvendit Komunal.

E gjitha filloi me ngritjen e padisë nga opozita ndaj kryetarit Rama, nën arsyetimin për thyerje të ligjit.

E kur Rama u mundua të arsyetohet, u pengua nga opozita duke bërë zhurmë, të cilët më pas e lëshuan edhe sallën.

Mirëpo jo edhe Endrit Zabërrgja nga NISMA dhe Sami Borovci nga AKR, të cilët u panë nën shoqërinë e kolegëve të tyre nga pozita.

Me 27 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, u bë në mënyrë të fshehur shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit Fehmi Kupina.

Pasi arriti ta kthejë shumicën, pushteti në Prishtinë e anuloi edhe vendimin për shkarkimin e aksionarëve të ndërmarrjeve publike, të votuar më 8 qershor.

Pushteti në kryeqytet tani ka shumicën kjo Berna Saraçi nga radhët e LVV, gjatë seancës bëri të ditur që tani është pjesë e PDK-së, duke ua siguruar kështu shumicën pozitës në Prishtinë.

Më 8 qershor në një mbledhje të jashtëzakonshme, opozita e përbërë nga LVV, AKR, AAK, dhe NISMA, i shkarkuan aksionarët e pozitës në ndërmarrjet publike komunale dhe duke emëruar aksionarë të rinjtë.

Gjë për të cilën e kishin edhe votën e Fehmi Kupinës.