LAJMET E MBRËMJES

Pushteti dhe PDK-ja bojkotojnë seancën për buxhetin dhe Planin zhvillimor të Prishtinës

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka dështuar edhe të premten ta miratojë buxhetin për vitin e ardhshëm. Në mbledhje nuk mori pjesë kryetari i Komunës e drejtorët, si dhe asamblistët e partive në koalicion dhe një pjesë e opozitës.

Ka dështuar edhe përpjekja e tretë e Kuvendit Komunal të Prishtinës për ta votuar Projektbuxhetin për vitin 2025.

Përveç asamblistëve të Vetëvendosjes dhe kryesuesit, në mbledhjen e Kuvendit Komunal nuk morën pjesë kryetari i Komunës dhe drejtorët, asamblistët e partive në pushtet dhe as pjesa tjetër e opozitës.

Kryesuesi Fehmi Kupina tha se në mungesë kuorumi kjo seancë nuk mund të vazhdojë.

Shefi i asamblistëve i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri, arsyetoi mospraninë me mungesën e kryetarit Përparim Rama dhe të drejtorëve të partisë në pushtet.

“Habia e kësaj mbledhje ishte që vetë thirrësit e mbledhjes nuk ishin prezentë dhe nuk morën pjesë në seancë, kjo tregon për seriozitetin dhe tregon për paaftësinë e kryetarit Rama për të udhëhequr me kërkesa të qytetarëve”, ka thënë ai.

Retkoceri thotë se partia së cilës ai i takon do ta votojë buxhetin, kur kryetari Rama do të përmbushë kërkesat e qytetarëve.

Miratimi i buxhetit për vitin 2025 pati dështuar të miratohej edhe më herët për shkak të mospjesëmarrjes së asamblistëve. 

Për vitin 2025, Komuna e Prishtinës ka projektuar buxhet prej 128 milionë eurosh.