LAJMET E MBRËMJES

Punëtorë të “Pastrimit” protestojnë ndaj angazhimit të privatëve në pastrimin e Prishtinës

Komuna e Prishtinës ka shpallur tendera për angazhimin edhe të kompanive private për grumbullimin e mbeturinave. Kjo ka nxitur frikë te 900 punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi”, të cilët gjatë protestës së të premtes kanë shprehur drojën se mund të mbesin pa punë

Punëtorë të ndërmarrjes publike “Pastrimi” kanë protestuar në mëngjesin e së premtes para Komunës së Prishtinës, së cilës i kanë kërkuar që ta anulojë tenderin për angazhimin e pesë operatorëve privatë për grumbullimin e mbeturinave.

Punëtorët kanë shprehur drojën se me këtë mund të falimentojë kompania.

Kryesindikalisti, Ardian Krasniqi, ka thënë se me angazhimin e kompanive private, cenohet marrëdhënia e punës së 900 punëtorëve.

“Me këtë ligj na kanë sjellë në këtë gjendje. Inkasimin e bën Komuna, pse ta bëjnë ata vetë? Regjistrimi i klientëve nga data baza. Bizneset t’i faturojmë ne, edhe ato duan të na i marrin. Me një fjalë, po duan të na falimentojnë, t’ia japin privatit edhe ju bëni çfarë të doni”, ka thënë kryetari i shoqatës sindikale.

Punëtorët që kanë marrë pjesë në protestë kanë thënë se do të vazhdojnë presionin sindikal kundër kontraktimit të bizneseve private.

“Ne së pari e kemi humbur shëndetin këtu e kemi humbur kolegë që nuk janë në mesin tonë dhe nuk kemi se çfarë të humbasim më. Nuk kemi se çfarë të humbim më shumë dhe do të përballen çdo ditë me fatin e 900 punëtorëve dhe 900 familjeve”, është shprehur Xhevdet Hasani, punëtor në kompaninë “Pastrimi”.

Por, në Komunën e Prishtinës nuk kanë dhënë sinjale se mund të përfillen thirrjet e bëra në protestë dhe kanë theksuar se në tenderat e shpallur mund të konkurrojë edhe vetë kompania “Pastrimi”.

“Duke e parë pamundësinë e ‘Pastrimit’ për t’i dalë zot përmbushjes së obligimeve në kontratë, kemi kërkuar kontratë shtesë për të marrë edhe kompani të tjera për shkak se konkurrenca rrit kualitetin. Arsyeja tjetër është se duam të shkurtojmë kohën e mbledhjes së mbeturinave për shkak se po krijojnë tollovi në qytet. Duam që kjo punë të bëhet prej orës 3 deri në 6 e 30 të mëngjesit”, ka thënë Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Përfaqësuesit e punëtorëve të kompanisë “Pastrimi” kërkesat e tyre i kanë paraqitur edhe në Kuvendin Komunal, në mbledhjen e jashtëzakonshme për buxhet. 

E, në Komunë kanë dhënë zotimin se, pavarësisht se kush do t’i fitojë tenderat, punëtorët e ndërmarrjes nuk do të mbeten pa punë.