Moshapja e Urës së Ibrit, me gjithë paralajmërimet, ka dërguar në Mitrovicë Partinë Socialdemokrate. Përmes një aksioni simbolik, drejtues të kësaj partie e kritikuan kryeministrin Albin Kurti për veprimet në veri, për të cilat thanë se do të pësojë Kosova
Hyrja e Urës së Ibrit nga ana e jugut ishte adresa e aksionit simbolik të organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD) të enjten.
Në fillim të saj u vendos një baner e në të cilin, sipas kësaj partie, është sqaruar rruga që është duke e ndjekur kryeministri Albin Kurti.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, u shpreh se ura që e ndan jugun me veriun është kufiri politik i kryeministrit Kurti dhe i sovranitetit të Kosovës.
“Të gjitha këto vendime që i patë janë vendime të njëanshme të Qeverisë së Kosovës. Secilin prej tyre veç e veç e kemi kundërshtuar dhe e kemi shpjeguar si të dëmshëm për Kosovën. Prandaj momenti i urës është momenti kulmues i shpjegimit të qartë se ku çon Kurti. Pushteti i Kurtit përmes veprimeve të njëanshme ka treguar se mund ta kontrollojë veriun, por jo ta integrojë veriun”, ka thënë Molliqaj.
Sipas tij, veprimet e Kurtit në veri çojnë ose në autonomi të kësaj pjese, ose në izolim të Kosovës.
“Pyetja që i shtrohet pushtetit është kjo: Pse Kosova nuk e ka integruar minoritetin serb, pse Kosova nuk e ka hapur urën dhe pse Kosova i ka dobësuar marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare. Ajo që ne e kemi thënë, e bëmë në mënyrë vizuale. Këto veprime të Kurtit dhe kjo rrugë e tij i ka veç dy mundësi: Njëra është izolimi ndërkombëtar që dita-ditës po bëhet gjithnjë e më e pranishme dhe tjetra është autonomia substanciale”, ka thënë Molliqaj.
Aksioni i PSD-së zgjati disa minuta dhe për mbarëvajtjen e tij u kujdesën zyrtarë të shumtë të Policisë së Kosovës.
Ndonëse kaloi pa ndonjë incident, disa qytetarë nuk u pajtuan me aksionin.