LAJMET E MBRËMJES

Protestuesit paralajmërojnë padi ndaj ZRRE-së pas vendimit për shtrenjtim të rrymës

Qytetarë të shumtë janë grumbulluar të premten për herë të dytë në kryeqytet për të protestuar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Nën organizim të nismës “Asnjë cent më shumë”, ata e kanë quajtur të paligjshëm dhe arbitrar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke paralajmëruar padi ndaj këtij institucioni. Protestuesit kanë thënë po ashtu se nuk do të ndalen me kaq

Kauza kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike i ka bërë bashkë qytetarët për të protestuar për herë të dytë, në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet.

Pak orë pasi që Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka aprovuar shtrenjtimin e energjisë elektrike për një mesatare prej 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, ata e kanë quajtur atë të paligjshëm, arbitrar dhe në dëm të mirëqenies së qytetarëve.

“Stop vjedhjes me tarifa”, “Asnjë cent më shumë”, “Kur s’të del për bukë, nuk të del as drita”, “Qytetarët nuk janë bankomat”, “Fatura jonë, pasuria juaj”, “Rroga s’na del për të jetuar, ju na e rritni rrymën”, “Kjo nuk është jetë, është mbijetesë”!, kanë qenë vetëm disa nga pankartat që i kanë mbajtur në duar qytetarët gjatë protestës së organizuar nga nisma “Asnjë cent më shumë”.

Besnik Shabiu, njëri nga organizatorët e protestës, ka thënë para të mbledhurve në Prishtinë se Bordi i ZRRE-së i ka shpërfillur kërkesat e qytetarëve, teksa ka paralajmëruar padi ndaj këtij institucioni për vendimin e marrë të premten.

“Sot në mënyrë arbitrare, në mënyrë jolegjitime, në mënyrë të njëanshme Bordi skandaloz i zyrës së Rregullatorit për Energji vendosi në emër të qytetarëve të Kosovës, pa i pyetur dhe pa i marrë në konsideratë komentet e tyre. Ata sot nuk e përfaqësojnë dhe nuk janë për të rregulluar aspektin energjetik, por për të dëmtuar edhe më tutje standardin e qytetarëve”, ka thënë ai.

E aktivisti Ali Sefaj, në emër të protestueseve ka kërkuar dorëheqjen e Bordit të ZRRE-së.

“Ata kanë vendosur në mënyrë arbitrare, por ky shtet ka institucione, dhe ne do të shkojmë te ZRRE-ja dhe t’u themi se keni hequr dorë nga mbrojtja e publikes dhe republikës. Nga këtu dhe atje do të kërkojmë dorëheqjen e tyre dhe në vend të tyre të vijnë njerëz që mbrojnë publiken dhe republikën, e padinë do ta dorëzojmë në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, ka paralajmëruar ai.

Nën brohoritjen “Asnjë cent më shumë”, protestuesit nga sheshi “Zahir Pajaziti” kanë marshuar drejt zyrave të ZRRE-së në lagjen “Lakrishtë” në kryeqytet. Para hyrjes së ndërtesës të këtij institucioni ata kanë vendosur parullën “KEDS t’i kthehet popullit”.

Organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen me kaq dhe se do të protestojnë sërish.

E qytetarët kanë adresuar kritika ndaj Qeverisë për shtrenjtimin e sërishëm të rrymës.

Qytetari Remzi Reka ka krahasuar çmimin e rrymës në Kosovë me atë në Zvicër.

“Unë kam paguar rrymë deri në 500 euro e jam vetë i dyti. Paguaj rrymë më shumë se në Zvicër djali im, për shembull, që është vetë i dyti atje. Kjo është e papranueshme në një vend me një standard që e ka Kosova, me një shtrenjtim në këtë mënyrë është e papranueshme dhe e pakuptueshme. Kjo qeveri ia ka bërë të pamundur qytetarit jetën në këtë vend”, ka thënë ai.

E ish-punëtori i KEK-ut, Zenel Bajgora, ka fajësuar edhe qeveritë e kaluara që e privatizuan KEDS-in, derisa ka thënë se me pensionin që e merr e ka të pamundur t’i mbulojë të gjitha shpenzimet.

“Unë i kam tri stenta, veç ilaçe më shkojnë ato pare, s’kam kah e laj, jo vallahi, kjo është katastrofë për shqiptar”, ka thënë ai.

Është kjo hera e tretë brenda katër vjetëve që Zyra e Rregullatorit të Energjisë merr vendim për shtrenjtim të rrymës.