LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria thotë se ambulancat në veri u përdorën për qëllime kriminale

Në gjykimin e katër të akuzuarve për sulmin terrorist ndaj Zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, Prokuroria Speciale ka prezantuar prova që ndërlidhen me rolin që e kanë luajtur institucionet shëndetësore që funksionojnë me sistemin e Serbisë, gjatë tensioneve në veri. Prova që iu propozua Gjykatës, sipas Prokurorisë, tregon përdorimin e autoambulancave në veri për realizim të qëllimeve kriminale, përfshirë edhe për protestat e dhunshme ku u lënduan 90 pjesëtarë të KFOR-it

Në gjykimin e katër të pandehurve për sulmin terrorist në Zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor të Mitrovicës së Veriut, Prokuroria Speciale ia ka propozuar gjykatës si provë një fotoalbum me përshkrime të fotografive të autoambulancave në veri që janë përdorur gjatë tensioneve në veri. 

Organi i akuzës pretendon se më 6 dhjetor 2022 u realizua sulmi terrorist e një autoambulancë u përdor për bartje të granatave të dorës të cilat, sipas aktakuzës, i mori i akuzuari Milun Milenkoviq – Llune.

Krahas tij, edhe Aleksandar Vlajiq, Dejan Pantiq e Miomir Vakiq në Gjykatën Themelore në Prishtinë po përballen me akuzat e prokurorisë se kanë hedhur granata dore dhe shok-bomba me qëllim të detyrimit të organeve publike të Kosovës për t’u tërhequr nga organizimi i zgjedhjeve.

Prokurori Bekim Kodraliu ka propozuar si prova dëshmi që tregojnë ndër të tjera se autoambulancat u përdorën si mjet ndihmës për sulm ndaj institucioneve të Kosovës dhe disa serbëve.  

“Autoambulancat nga këto shtëpi të shëndetit janë përdorur edhe më 29.05.2023 para komunës së Zveçanit gjatë protestave të dhunshme në sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë së Kosovës dhe gazetarëve dhe janë lënduar më shumë se 30 persona nga ushtarët e KFOR-it, tre nga ta i kanë humbur këmbët e tyre dhe nga këto shërbime shëndetësore nuk u është ofruar ndihma mjekësore atyre ushtarëve. Në të njëjtën datë më 29.05.2023 në Zveçan ku gjatë protestave të dhunshme dhe sulmit ndaj KFOR-it shihen persona duke nxjerrë gjësende të forta nga këto autoambulanca. E, e njëjta ndodh edhe te pjesa te Tre Ssoliterët e po ashtu edhe bartja e personave në lidhje me rastin e ndodhur në dhjetor të vitit 2022 ku disa qytetarë të nacionalitetit serb janë rrahur nga strukturat ilegale, janë rrëmbyer dhe me këto automjete janë dërguar për në Serbi”, ka thënë prokurori Kodraliu.  

Pos transportit të armëve të përdorura për t’i sulmuar institucionet e Kosovës, sipas prokurorit Kodraliu, autoambulancat u përdorën edhe për të përmbushur qëllime të tjera, siç ishte bllokimi i lëvizjes së lirë.

“Këto ambulanca janë përdorur për bllokimin e rrugëve në pjesën e veriut të Kosovës, për mbështetjen logjistike të strukturave ilegale dhe kriminale për kontrabandim të mallrave, transportim të personave në rrugë ilegale, sipas kërkesave të dhe nevojave të strukturave ilegale. Në provat e prezantuara janë me fotografi të dokumentuara që autoambulancat janë përdorur për nevojat të cilat i potencova më lart. Autoambulancat përdoren për bllokimin e rrugëve, në pikat kufitare, siç është rasti për shembull në tetor 2021 në Bërnjak, në Mitrovicën e Veriut me datën 13 tetor 2021 gjatë një operacioni të institucioneve të sigurisë për ndalimin e kontrabandës... Fotografi konkrete, ku më datë 31 korrik 2021 përdoren për përfshirjen e tyre në barrikada në Rudar të Zveçani dhe në datën 31 dhjetor 2022”, është shprehur Kodraliu.  

Lidhur me këtë vendim trupi gjykues do të vendosë në seancën e radhës pas dëgjimit të mendimit të mbrojtjes. 

Në shqyrtim gjyqësor ka dëshmuar dëshmitarja e propozuar nga mbrojtja e Milenkoviqit, Danijela Sokoviq. 

Ajo ka thënë se në ditën kritike ka qenë duke e kryer punën e saj si mjeke e shtëpisë së shëndetit dhe ka qenë në autoambulancën, e cila sipas prokurorisë u përdor për ta bartur një çantë me granata dore. Prokuroria Speciale pretendon se Milenkoviq e ka hapur derën e autoambulancës prej ku e ka marrë një çantë me granata. Sokoviq u shpreh se nuk e ka parë vetë se çfarë ka pasur në çantën mjekësore. 

“Me të vërtetë nuk më kujtohet dhe ajo është rutinë dhe nuk e di, është punë e teknikut”, ka thënë dëshmitarja.  

Sokoviq ka deklaruar se të akuzuarin e njohur si Llune nuk e ka parë ditën e sulmit. Dëshmitarja ka shtuar se kanë pranuar thirrje nga një person i panjohur për të shkuar te Tre Rrokaqiejt (Soliterat) në Mitrovicë të Veriut. Atje ka theksuar se ishte me kolegët e saj, teknikun mjekësor Jovica Rakiq dhe shoferin e autoambulancës Bratislav Periq. 

Kur shkuan te Tre Rrokaqjejt rreth orës tre pasdite, sipas saj, ajo pa një turmë me persona, disa prej tyre të maskuar. Dëshmitarja është shprehur se nuk e ka parë kush e ka hapur derën e autoambulancës.

Në fjalën e tij hyrëse për këtë rast, prokurori Bekim Kodraliu ka thënë se Milun Milenkoviq ka folur me të tjerët për të mos i harruar mjetet shpërthyese. 

“Disa minuta para shpërthimit, duke marrë mjetet shpërthyese nga një autoambulancë me alarm, dhe nga burime të tjera në terren të cilat kanë qenë në përcjellje të tij, është dëgjuar duke u thënë personave të tjerë ‘shpejt, shpejt dhe mos harroni t’i merrni ato’”, ka thënë Kodraliu. 

Të pandehurit Pantiq e Vakiq sipas prokurorisë flisnin me kode siç është “aty shkunden dardhat”. 

“I pandehuri Pantiq i kishte thënë të pandehurit Vakiq se aty shkunden dardhat. Duke aluduar se aty janë të vendosur policia dhe se mund të hidhen edhe mjete shpërthyese, për çka i pandehuri Vakiq ia kishte kthyer përgjigjen: Ti gjuaja ndonjë mollë atyre”, ka thënë Kodraliu në fjalën hyrëse për këtë rast. 

Në fund të dhjetorit 2022, subjekte politike serbe të Kosovës e arsyetonin bllokimin e rrugëve në veri me arrestimin e Dejan Pantiqit – për të cilin thoshin se është arrestuar pa faj. 

Reagime lidhur me arrestimin e tij atëkohë bënte edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. 
Institucionet e Kosovës e kanë përmendur shpesh Dejan Pantiqin si një nga krerët e Brigadës së Veriut, e cila tashmë është shpallur organizatë terroriste në Kosovë. 

Nga ana tjetër, presidenti Aleksandar Vuçiq, e ka dekoruar Pantiqin me medaljen “Millosh Obiliqi”. Medaljen në emër të tij e pati marrë i biri i tij, Predrag Pantiq.