LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria: Të gjitha i ka planifikuar bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli

Është ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre personave të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023. Sipas prokurores së rastit, zbulimi i motivit të vrasjes u bë shkak që aktakuza të ngrihet pas gati 14 muajsh. E kryeprokurori i Themelores në Prishtinë dhe familjarët presin dënim kapital për të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Prishtinë të mërkurën ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre personave të tjerë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. 

Pos Murselit, bashkëshortit të së ndjerës, aktakuzë është ngritur edhe ndaj Granit Plavës e Kushtrim Kokallës, si të dyshuar për kryerjen e veprës, si dhe ndaj Tom Dodajt që, sipas prokurorisë, nuk është i përfshirë direkt në vrasje.

Prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq, në konferencën për media arsyetoi mosngritjen e aktakuzës për gati 14 muaj me kohën që u desh për t’u zbuluar motivi i vrasjes. Sipas saj, e ndjera dhe bashkëshorti i saj Murseli kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore e familjare e po ashtu edhe probleme në lidhje me pasurinë.

“Keni dëgjuar emrin e njërit të të pandehurit i cili të gjitha i ka planifikuar e ai është Naim Murseli. Për informatat e marra nga Suedia keni dëgjuar edhe emrin e Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës që janë kryerësit e drejtpërdrejtë. Ekziston edhe një i pandehur në këtë lëndë, i cili nuk është i përfshirë në mënyrë direkte me kryerësit dhe ai rastësisht është gjetur aty”, ka deklaruar prokurorja.

Perlinçeviq shtoi se me gjithë kërkesat nuk është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.

E kryeprokurori i Themelores në Prishtinë, Zejnullah Gashi, pret që rasti të përmbyllet me dënim meritor.

“Presim nga gjykata një dënim kapital sa u përket kryerësve të kësaj vepre penale të cilët ne mendojë dhe konsiderojmë që kemi arritur në mënyrë profesionale të grumbullojmë të gjitha provat dhe të presim epilogun në gjykatë”, ka theksuar Gashi.

Ngritjen e aktakuzës e kanë mirëpritur familjarët e Liridonës.

“Ne kemi besuar në drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo që duam ne është që gjykata sa më shpejt të vendosë një dënim kapital që të lehtësojë sado pak zemrat tona dhe të fëmijëve të saj. Nuk e kemi marrë aktakuzën. Fëmijët kanë kuptuar gjithçka. Gjendja e tyre nuk është edhe aq e mirë. Për këtë kujdeset shteti, që e di më mirë me njerëz adekuatë”, ka thënë Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, i akuzuari Naim Murseli ka deklaruar se motivi ishte presioni i lartë nga bashkëshortja dhe xhelozia e saj.

Granit Plava ka deklaruar se i është thënë se duhet të vrasë një biznesmene serbe. E Kushtrim Kokalla ka thënë se Murseli e ka lutur për një vit që ta vrasë Liridonën. I akuzuari i katërt, Tom Dodaj, sipas aktakuzës, ka thënë se ia ka shitur Murselit armën me 20 fishekë për 280 euro.

Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor 2023, në orën 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë dhe fillimisht rasti ishte raportuar si vrasje gjatë grabitjes.