LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë të re ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut dhe dy të tjerëve

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të re kundër ish-kryeshefit të KEK-ut Nagip Krasniqi, si dhe ish-shefit të prokurimit Ymer Dragusha dhe avokatit Isuf Zejna. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovë në vlerë prej 37 milionë eurosh

Prokuroria Speciale të hënën ka ngritur aktakuzën e dytë ndaj ish-kreyeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, për dëme milionëshe të shkaktuara ndaj buxhetit të shtetit. 

Në aktakuzën e re, përveç ish-kryeshefit të KEK-ut janë të përfshirë edhe ish-shefi i prokurimit në këtë korporatë, Ymer Dragusha dhe avokati, Isuf Zejna. 

“Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milion Euro duke kryer veprat penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin nga Prokuroria Speciale. 

Ish-shefi i prokurimit në KEK, Ymer Dragusha, tha për KOHËN se nuk ka qenë i përfshirë në periudhën kur përmendet në aktakuzë.

“S’kam gjë aty. Unë veç një periudhë të shkurtët kam qenë, vetëm 6 muaj. S’është ajo periudhë që po e përmendin. Gusht 2022 deri në mars 2023, në ato çështje. Ai po niset nga 2021-ta, s’kam diçka aty. S’kam çka jap koment. E shoh tash aty kur të shkojmë aty, e shoh çka ka. Ata e dinë vetë se çka kanë shkruar, çka kanë e çka s’kanë”, tha Dragusha. 

KOHA ka tentuar ta kontaktojë edhe avokatin Isuf Zejna, por nuk ka marrë përgjigje. 

Krasniqi për aktakuzën e parë ishte deklaruar i pafajshëm. E, gjatë muajit gusht në një intervistë në Interaktiv të KTV-së, i pati cilësuar akuzat ndaj tij si “gjueti shtrigash”. 

Në procesverbal të seancës për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj Nagip Krasniqnit, në prill të vitit të kaluar, prokuroria pretendoi se Krasniqi ka urdhëruar me shkrim shefin e prokurimit, Ymer Dragusha, që ta nënshkruajë kontratë të dëmshme për “Riparim kapital emergjent të kaldasë, blloku A5”. Atëkohë organi i akuzës pretendoi po ashtu se Krasniqi ka lidhur kontratë të dëmshme edhe me operatorin ekonomik “Rexhepi Zeqiri Zejna LL.C”. Në këtë kompani, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, 30 për qind të aksioneve i mban avokati Isuf Zejna.

Aktakuza e re ka nxitur reagimin e opozitës, sipas së cilës, kjo qeveri i ka shkaktuar dëme të mëdha xhepit të qytetarëve.