LAJMET E MBRËMJES

Prokuroria nis hetim për publikimin e votave të diasporës në TikTok

Procesi i nisur para një jave për votim nëpërmjet postës nga diaspora është përcjellë edhe me parregullsi. KOHA ka raportuar të hënën se fletëvotime të plotësuara janë shpërndarë në rrjete sociale. E të enjten Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se ka hapur rast në drejtim të veprës penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar të enjten Policinë për të nisur hetime, pasi që KOHA ka raportuar më 13 janar se nëpër rrjetet sociale kanë nisur të publikohen pamje të fletëvotimeve të plotësuara e të cilat dërgohen me postë.

Në një komunikatë për medie Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se është hapur rast në drejtim të veprës penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”.

“Në kuadër të këtij angazhimi dhe pas pranimit të informatave se ka raste të dyshuara në drejtim të veprës penale ‘Cenimi i fshehtësisë së votimit’, nga neni 215 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore”, është thënë në komunikatën e Zyrës së Kryeprokurorit.

Që nga 9 janari ka filluar procesi i votimit me postë nga diaspora, për 85 mijë qytetarë të regjistruar suksesshëm për votim në zgjedhjet e 9 shkurtit. E kur është bërë një javë, fletëvotime të plotësuara kanë vazhduar që të publikohen në rrjete sociale, kryesisht në TikTok.

Prokuroria ka paralajmëruar se qytetarët që e cenojnë fshehtësinë e votimit do të përballen me arrestim.

“Prokurori i Shtetit do të ndalojë çdo qytetar që në çfarëdo mënyre do të tentojë apo ndikojë në keqpërdorimin e votës së lirë të sovranit dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit”, kanë thënë në Zyrën e Kryeprokurorit.

Në videot e publikuara janë shfaqur pamje të personave tek plotësojnë fletëvotime. Në disa raste shihen edhe dëftesa dhe numri i regjistrimit e edhe adresa nga ku dërgohet fletëvotimi, i cili më pas futet në zarf dhe nëpërmjet postës niset drejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Në KQZ nuk iu patën përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me rastet e publikimit të votës.

Shqetësime për integritetin e procesit të votimit me postë nga diaspora kanë shprehur anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Partisë Demokratike (PDK).

Anëtari Ilir Gashi e pati transmetuar gjatë mbledhjes së të premtes të KQZ-së një videoxhirim, për të cilin ka thënë se po qarkullon nëpër rrjete sociale dhe ku qytetarëve shihet se po u ofrohet një adresë ku të shkojnë dhe të marrin ndihmë mbi mënyrën e të votuarit me postë.

Votimi nëpërmjet postës për shtetasit e Kosovës të regjistruar jashtë vendit do të zgjasë deri më 8 shkurt. Të drejtën e votës në këtë mënyrë e kanë afro 85 mijë qytetarë.