Specialja

Prokuroria e Speciales kërkon 28 vjet burgim për Pjetër Shalën

Të hënën prokuroria dha fjalën përfundimtare duke insistuar në provat e saj dhe në një burgim të unifikuar prej 28 vjetësh për Shalën. E të martën fjalën përfundimtare do ta thonë edhe mbrojtësit e viktimave dhe mbrojtja e të akuzuarit Pjetër Shala. Ai u arrestua më 2021 dhe në seancën e shqyrtimit fillestar pati thënë se akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj tij janë fabrikime

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar të hënën që Pjetër Shala të dënohet me 28 vjet burgim të unifikuar për të gjitha akuzat, ku bëjnë pjesë ndalimi arbitrar, trajtimi mizor, tortura e vrasja e paligjshme në një fabrikë të metaleve në Kukës në periudhën 17 maj - 5 qershor 1999. 

Në paraqitjen e fjalës përfundimtare në rastin kundër Shalës në Gjykatën Speciale në Hagë, prokurori Filippo de Minicis u shpreh se një pjesë të fajit për krimet i ka pranuar edhe vetë Shala. 

“Ajo që ka rëndësi në veçanti lidhur me këtë incident është se kur bëhet fjalë për të akuzuarin, dëshmitari 4733 në mënyrë koherente gjithmonë e ka përfshirë të akuzuarin në dëshminë e tij dhe dëshmia e tij në këtë pikë përputhet me atë të dëshmitarit 1 në gjykatë, si dhe dëshmitarit 1448 dhe vetë të akuzuarit. Siç e kemi paraqitur në paragrafin 212 të dosjes së Prokurorisë, deklarata e të akuzuarit në vitin 2016 mbështet dhe dëshmon këtë provë. Në fakt, i akuzuari jo vetëm që ka pranuar se UÇK-ja po e kërkonte atë, pra dëshmitarin më 1998, por shtoi: po ta kisha kapur më herët ai nuk do të ishte në gjendje të jepte dëshmi fare”, ka thënë prokurori De Minicis. 

Disa prej viktimave të ndalimit dhe keqtrajtimit, sipas tij, kanë shenja të dukshme fizike edhe sot e kësaj dite. Prokuroria në fjalën përfundimtare ka thënë se Shala ka marrë pjesë personalisht e edhe me të tjerët në kryerjen e këtyre krimeve dhe i ka bërë ato me dashje. 

“Pjesëmarrja e tij ka qenë e vazhdueshme, e konsiderueshme dhe tejet e dhunshme”, është shprehur de Minicis. 

Në mesin e viktimave, sipas prokurorisë, shumica janë shqiptarë, burra dhe gra. Sipas tij, viktimat u morën kryesisht nga kampet e refugjatëve në Kukës, meqë Shala e pjesëtarë të tjerë të UÇK-së i shihnin si bashkëpunëtorë të Serbisë, me akuza, që De Minicis i quajti të vagullta. 

Prokurori De Minicis ka thënë se një pjesë e dëshmitarëve kanë vdekur, por historitë e keqtrajtimit, sipas tij, janë treguar prej familjarëve të tyre. Megjithatë kërkoi që dënimi i Shalës të bëhet në bazë të dëshmive të dëshmitarëve që e kanë pasur mundësinë të paraqiteshin para gjykatës. 

Lidhur me akuzën për vrasje prokurori ka thënë se personi i vrarë nuk përbënte rrezik. 

“Një prej këtyre viktimave, një shqiptar i ri i Kosovës, u arrestua, u rrah egërsisht me ditë të tëra dhe më pas u vra. Ai nuk ishte aspak i rrezikshëm për kryerësit, të cilët sidoqoftë vendosën t’ia merrnin jetën. I akuzuari ishte një prej këtyre kryerësve”, ka theksuar De Minicis. 

Në këtë seancë u shfaqën edhe pamje të identifikimit të objekteve në fotografi dhe vizatimi i objekteve dhe vendeve ku Prokuroria pretendon se ka ndodhur keqtrajtimi i viktimave. 

E prokurorja Eva Wyler e prezantoi edhe një videoincizim që, sipas saj, përputhet me dëshminë e dëshmitarëve lidhur me njërin prej vendeve ku ka ndodhur keqtrajtimi. 

“Dëshmitari 3887 identifikoi vendin e kësaj dhome të treguar në video gjatë dëshmisë së dhënë para jush të nderuar anëtarë të trupit gjykues dhe e ka shënuar me numrin 2. Nuk ka pikë dyshimi që ka të bëjë me të njëjtin vend, për të njëjtën dhomë që është identifikuar edhe nga viktima të tjera. Për çështje krahasimi mund të shikoni shënimet e dëshmitarit 1 në të majtë. Videoja që do ta shfaqë tani do të tregojë shkurtimisht një mbledhje të rreth 10 ushtarëve të UÇK-së. Ju ftoj që ta shikoni tani. Është një video e cila tregon pjesën e brendshme të kësaj dhome, mund ta shohim një krevat dykatësh. Mund ta shihni që ka edhe një mobilie në cep. Ka tavolinë në mes të dhomës dhe stola për t’u ulur. Kur dëshmitari 4733 është dërguar në atë dhomë vonë në mbrëmjen e 28 majit 1999 ose rreth kësaj date, ai përshkroi mbledhje të ngjashme si ajo që pamë në video të ushtarëve të UÇK-së”, tha Wyler. 

Ajo përmendi rrahjet me objekte të forta. Tha se shumica e viktimave ishin shqiptarë, ku bënin pjesë si burra ashtu edhe gra. 

“Atë natë dëshmitarët 4733, 1448 dhe ai me numër 1 në këtë çështje gjyqësore kanë përjetuar dhunë të pabesueshme. Pjesa më e madhe e viktimave të asaj date ishin shqiptarë të Kosovës që akuzoheshin për lidhje me institucionet serbe, se ishin bashkëpunëtorë të Serbisë dhe për këto akuza rriheshin me çfarëdo që mund të gjenin ushtarët e UÇK-së, që mund të ishin shkopinj bejsbolli, shufra hekuri, me pjesë të pushkës e të tjera”, ka thënë Wyler. 

Ajo ka përmendur edhe tortura të cilat, siç tha, u janë nënshtruar viktimat. 

“Ndërkohë që viktimave u binte të fikët, kryerësit u hidhnin ujë në mënyrë të tillë që ato të këndelleshin, në mënyrë që të vazhdonin t’i keqtrajtonin më tej. Ato ishin të mbuluara me gjak. Rrahjet që ia kishin bërë u kishin shkaktuar dhimbje të pabesueshme dhe pavarësisht kësaj, kryerësit nuk mjaftoheshin me keq, por u hidhnin kripë në sy dhe në plagë”, ka deklaruar Wyler. 

Dëshmitarët, sipas Prokurorisë, kanë deklaruar se Pjetër Shala i ka keqtrajtuar personalisht duke identifikuar karakteristikat personale, siç u tha, “ulërima si ujq”. 

“Një viktimë kujton se i akuzuari qeshte ndërkohë që e godiste atë, derisa dëshmitari 4733 ka thënë që i akuzuari e ka rrahur atë si kalë”, tha Wyler. 

Në këtë seancë u kërkua dënimi i Shalës me 28 vjet burgim si dënim i unifikuar për të gjitha veprat penale.

“ZPS-ja kërkon që trupi gjykues të caktojë dënime në vijim ndaj të akuzuarit për krimet individuale për të cilat akuzohet: Pika 1) për ndalim arbitrar 8 vjet burgim; Pika 2) Trajtim mizor, 15 vjet burgim; Pika 3) Torturë, 20 vjet burgim dhe; Pika 4) Vrasje, 26 vjet burgim. Në përputhje me nenin 1634 të Rregullores, trupi gjykues të caktojë një vendim të vetëm që pasqyron tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit. ZPS-ja kërkon që të caktohet ndaj të akuzuarit një dënim i vetëm prej 28 vjetësh burgim”, ka thënë Wyler. 

Derisa shumica e fjalës përfundimtare u mbajt në seancë të hapur, një pjesë e saj u mbyll për publikun për të mbrojtur informatat që i identifikojnë dëshmitarët. 

Prokuroria e ka përmbyllur fjalën përfundimtare të hënën. Ndërsa të martën vazhdon fjala përfundimtare e mbrojtësit të viktimave dhe mbrojtjes së të akuzuarit Pjetër Shala. 

Pas përfundimit të seancave të fjalëve përfundimtare, gjykata i ka tre muaj kohë për ta shpallur aktgjykimin lidhur me këtë rast, përveç në rastet kur gjykata e vlerëson si absolutisht të nevojshme – rrethanë kur i ka edhe dy muaj kohë shtesë për shpalljen e aktgjykimit. 

Shala, i njohur si Komandant Ujku, u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë, ku edhe po jetonte. Në seancën e shqyrtimit fillestar ai pati thënë se akuzat e ZPS-së ndaj tij janë fabrikime.