Denoncimi për ngacmim seksual

Prokuroria aktivizohet një muaj pas denoncimit të studenteve ndaj Xhevat Krasniqit

Pas denoncimit të 27 studenteve ndaj profesorit Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin e informatave dhe në intervistimin e palëve për hetimin e veprës penale.

Një muaj pasi 27 studente e denoncuan në Këshill të Etikës profesorin Xhevat Krasniqi për ngacmim seksual, është aktivizuar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ky institucion ka njoftuar se ka autorizuar policinë në grumbullimin e informatave në lidhje me denoncimin për ngacmim seksual.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje. Aktualisht kjo çështje ndodhet në vazhdën e veprimeve të cilat janë duke u kryer në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, andaj në këtë fazë nuk mund të ndajmë informata të tjera me ju”, ka njoftuar Prokuroria.

Siç merr vesh KOHA, Policia ka filluar këtë javë intervistimin e palëve për hetimin e veprës penale ngacmim seksual që dyshohet të jetë kryer nga profesori.

Përderisa policia ka filluar intervistimin, Këshilli i Etikës tash e një muaj nuk ka arritur t’i kontaktojë të gjitha studentet, ani se Rregullorja parasheh që brenda pesë ditëve të intervistohen të gjithë personat e përfshirë. 

Pakënaqësi ndaj trajtimit të këtij rasti kanë shprehur studentet dhe shoqëria civile. 

Pesë ditë rresht Lëvizja Feministe Studentore ka protestuar para Rektoratit me kërkesat që të përjashtohet Krasniqi dhe të shkarkohen anëtarët e Këshillit e Etikës.

Në protestat e tyre pati edhe ndërhyrje të policisë, meqë protestuesit ua bllokuan dy herë daljen anëtarëve të Këshillit deri në marrjen e një vendimi për rastin.