LAJMET E MBRËMJES

Prokurori dhe stafi i një lokali mbajtën “peng” kameramanin e “Betimit për Drejtësi”

Policia ka arrestuar, e më pas e ka liruar kameramanin Arianit Tahiri. Sipas versionit të e “Betimit për Drejtësi”, për të cilin ai po xhironte, paraprakisht Tahiri u mbajt peng nga një prokuror dhe stafi i një lokal ku po xhironte

Kameramani i “Betimit për Drejtësi”, Arianit Tahiri, është arrestuar të martën në një lokal në Prizren, derisa bashkë me gazetaren Alberta Hashani, po realizonin një hulumtim rreth dyshimeve se disa prokurorë po keqpërdornin detyrën gjatë orarit zyrtar.

Hulumtuesi i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, tha se në vendin ku ata po xhironin, ishte edhe prokurori për të cilin po zhvillohej hulumtimi. 

“Gjatë kësaj kohë, stafi i lokalit kanë dyshuar se kameramani Tahiri është duke xhiruar dhe kanë filluar ta kërcënojnë sepse ka xhiruar i njëjti dhe duke tentuar t’ia marrin telefonin, dhe gjatë gjithë kësaj kohe i pranishëm ka qenë edhe prokurori Genc Nixha, i cili ka kontaktuar Policinë e Kosovës”, ka thënë Shala.

Sipas versionit që kanë dhënë “Betimi për Drejtësi”, prokurori Nixha dhe stafi i lokalit, e kërcënuan dhe e kanë privuan nga liria kameramanin, duke mos e lënë të largohet. 

“Gjatë gjithë kësaj kohe sa Tahiri u kërcënua dhe iu kufizua kundërligjshëm liria, në lokal prezent ishte edhe Prokurori Genc Nixha, që supozohet se e dinte se këto veprime përbëjnë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Nixha nuk mori masa dhe kjo gjendje u tolerua, derisa erdhi Policia e Kosovës, të cilët e kanë arrestuar, ia kanë marrë telefonin si mjet pune si dhe e kanë shoqëruar nën pranga për në stacionin Policor në Prizren”, thuhet në versionin që “Betimi për Drejtësi” ka dhënë për rastin. “Më pas, policia e kanë intervistuar Tahirin në cilësinë e të dëmtuarit, ndërsa dëshmi si dëshmitare për këtë rast tanimë ka dhënë edhe gazetarja e ‘Betimi për Drejtësi’, Alberta Hashani”.

Por, ndonëse kameramani Tahiri është marrë në pranga, policia e ka intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit dhe më pas është liruar.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar nga institucionet e sistemit të drejtësisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, që të marrin masa që rastet e tilla të pengimit të punës së gazetarëve dhe kameramanëve mos të përsëriten, pasi që legjislacioni pozitiv garanton ushtrimin e profesionit të profesionistëve të mediave si dhe mbron në mënyrë adekuate pajisjet e punës së tyre. Po kështu, ka ftuar Prokurorin e Shtetit që të adresojë përgjegjësinë e prokurorit Nixha dhe stafit të lokalit në Prizren “që kanosën dhe kundërligjshëm privuan nga liria kameramanin Tahiri”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar sjelljen e Policisë dhe ka kërkuar nga organet relevante që të japin një sqarim në lidhje me këtë çështje. 

“AGK-ja i bashkohet thirrjes së “Betimit për Drejtësi” për hetime të plota për incidentin dhe marrjen e masave ndaj të gjithë përgjegjësve, në mënyrë që të mos përsëritet në asnjë rrethanë kufizimi dhe frikësimi i gazetarëve gjatë kryerjes së punës së tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së. 

I kontaktuar nga KOHA, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, nuk ka dhënë informacione për këtë rast, me arsyetimin se njësitë relevante ende nuk kanë dalë me një raport konkret.

E të paqasshëm për komunikim kanë qenë zyrtarët e Prokurorisë Themelore në Prizren.