LAJMET E MBRËMJES

Prokurorët e rinj janë duke hetuar 1600 kontrata njëburimore

Prokuroria Speciale ka në proces hetimi 1.600 kontrata njëburimore. Të dhënat u publikuan gjatë raportimit të udhëheqësve të prokurorive në Këshillin Prokurorial. Zëvendëskryeprokurori i Speciales, Valdet Gashi, tregoi se me kontratat janë duke u marrë prokurorët e rinj

Prokuroria Speciale ka në proces hetimi rreth 1600 kontrata njëburimore, të firmosura nga institucionet qendrore dhe ato lokale.

Zëvendëskryeprokurori i Speciales, Valdet Gashi, ka thënë të enjten gjatë raportimit të tij para Këshillit Prokurorial (KPK) se me këto lëndë po merren prokurorët e rinj.

“Këta prokurorë janë duke u marrë me lëndë me disa kontrata njëburimore. Ato janë 1600 kontrata që janë duke u trajtuar nga këta prokurorë. Rezultati i saj nuk mund të jetë për një muaj apo dy e tre muaj, pasi ato donë kohë, pasi ne kemi vetëm një informacion dhe për të ardhur te një vlerësim duhet grumbulluar informacione”, ka thënë prokurori Gashi.

Ai ka prezantuar edhe shifra që tregojnë për rritje të numrit të rasteve të pazgjidhura nga viti 2024 në vitin 2025, krahasuar me periudhën paraprake.

“Nga viti 2023 janë bartur 1 mijë 756 lëndë. 489 lëndë janë pranuar në vitin 2024. Pra 2245 lëndë kanë qenë në punë gjatë vitit 2024, duke marrë parasysh lëndët e bartura dhe të pranuara. Ndërsa, 288 lëndë janë zgjidhur gjatë vitit 2024, apo përkthyer në përqindje 58.9 për qind në raport me rastet e pranuara. 1957 lëndë kanë mbetur në fund të periudhës raportuese, të pazgjidhura”, ka thënë prokurori Gashi.

Këshilli Prokurorial ia ka aprovuar raportin Prokurorisë Speciale, por me rekomandim për raportim brenda një jave për përfundimin e lëndëve të secilit prokuror special.