Pa votat e opozitës, Komisioni për Shëndetësi e ka proceduar për shqyrtim në Kuvend Projektligjin për Sigurime Shëndetësore. Gjatë leximit të parë, anëtarët opozitarë, por edhe ata të pushtetit shprehën kritikë për vonesën në nxjerrjen e tij në seancë plenare. E në opozitë patën kritikë edhe për përmbajtjen e Projektligjit
Ligji për Sigurime Shëndetësore të martën është proceduar në Kuvend, por miratimin dhe procedimin e tij në fund të mandatit e vlerësuan të vonshëm anëtarët e opozitës në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi.
Në leximin e parë, deputetët opozitarë e kritikuan përmbajtjen e Projektligjit tek thanë se ai nuk i adreson mangësitë e ligjit ekzistues.
Deputeti nga AAK-ja, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se edhe ky ligj do të mbes vetëm në letër dhe se nuk do të gjejë zbatim. Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që ta tërheqë këtë projektligj.
“Vërtet koha kur na është sjellë ky ligj është shumë e papërshtatshme, fundi i vitit. Do të mbesin veprimet vetëm në letër dhe nuk do të gjejë kurrfarë zbatimi. Ky ligj ka ardhur vonë dhe nuk e ka vendin që të amendamentohet. Në esencë ky është ligj i vjetër me gjashtë intervenime. Nuk bëhet fjalë për ligj të ri. Ky ligj me të gjitha premisat është i paraparë që të dështojë. Nuk ka pako bazike, nuk është definuar kosto dhe gama e shërbimeve, nuk është bërë asgjë për SISH”, ka thënë Dreshaj.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar që pushteti të ketë qasje, siç ka thënë, serioze për projektligjin, të cilin e vlerësoi si improvizim para fushatës zgjedhore.
“Është i vonuar dhe nuk përmbush mangësitë e ligjit. Përgatitur për te mbuluar dështimin 4-vjeçar. Ky proces nuk duhet të kthehet ne tallje për qytetarët. Të kërkohet projektligji në muajt e fundit të mandatit nuk është e drejtë. As nuk është koha e duhur për ta nisur e as përfunduar. Nuk kemi funksionalizim të Sish, nuk e kemi ligjin e ri për shëndetësi. Mendoj që koha nuk është sa për të improvizuar, por ne duhet të jemi më serioz e jo ta përdorim sa për fushatë”, ka thënë Zemaj.
Kritikat për vonesë i pranuan edhe deputetë të pushtetit, porse jo edhe ato mbi përmbajtjen e tij.
Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, ka thënë se përmes këtij projektligji reforma në shëndetësi po merr kahe tjetër. Ai kërkoi mbështetjen edhe të deputetëve të opozitës.
“Me këtë ligj po bëjmë një hap para, por nuk jemi duke i bërë sigurimet shëndetësore, sepse ligji për sigurime shëndetësore që nga viti 2004, ka 20 vjet që kemi ligj po nuk kemi sigurime shëndetësore dhe për këtë mendojmë që edhe kemi pasur raste dhe po vazhdon avazi i ligjeve të pa implementueshme. Prandaj, ky është një plotësim-ndryshim i ligjeve të kaluara dhe besoj ky ligj i ka adresuar të gjitha ato mangësi që kanë penguar që Kosova që deri sot të mos ketë sigurime shëndetësore”, ka thënë Avdyli.
E bashkëpartiaku i tij, Mirsad Shkreta, ka thënë se krahas me këtë projektligj, do të rregullohen edhe aspektet e tjera që janë njësoj të rëndësishme.
“Jam dakord që propozimi mund të jetë i vonshëm, por ka qenë edhe insistim yni i vazhdueshëm, pa dallim, që të kemi një projektligj të tillë që adresonte një shqetësim të madh që janë sigurimet shëndetësore. Nëse kemi infrastrukturë ligjore dhe paralelisht shkojmë me sistemin informativ shëndetësor, dhe tashmë e kemi ligjin e çmimit të barnave, ky ligj do të garantonte rimbursimin e barnave që është esenciale për qytetarët tonë”, ka thënë Shkreta.
Pas diskutimeve, projektligji kaloi në lexim të parë pa votën e deputetëve të opozitës dhe u procedua për shqyrtim në seancë plenare. Projektligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u miratua më 28 gusht në Qeveri.
Ligji ekzistues daton që nga viti 2014, porse pavarësisht premtimeve, asnjëherë nuk arriti që të gjejë zbatim.