LAJMET E MBRËMJES

Projektbuxheti i 2025-tës kalon në Komisionin për Buxhet

Ligji për buxhetin është votuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere. Gjatë prezantimit të tij nga ministri Hekuran Murati, ai u cilësua si një buxhet që nuk garanton zhvillim ekonomik e investime kapitale

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka prezantuar të mërkurën në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere Projektligjin për buxhetin e vitit 2025, por nga opozita ai është kritikuar se nuk ofron zhvillim ekonomik.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar ministrin Murati për mungesë të investimeve kapitale.

“Te investimet kapitale ke vetëm 8 për qind të investimeve të reja, planifikim të ri. Çfarë po ndodh me investime kapitale”, ka thënë Shala.

Atij i është kundërpërgjigjur ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Sa i përket investimeve kapitale, rritja është 8 për qind sepse buxheti rritet 8 për qind, pra edhe buxheti si tërësi, rritja është 8 për qind. Pra, këtë rritje për 8 qind e jep si rezultat një buxhet prej 930 milionë euro të investimeve kapitale”, ka thënë Murati.

Por, kritikat i ka vazhduar deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Nëse dikush mund të mbahet mend për bartje të projekteve, pra në të gjitha, është kjo qeveri. Janë dikasteret e juaja, që besomë nuk kisha qejf me qenë në lëkurën tënde për me ardhë m’i mbrojtë ata që nuk kanë punuar fare. Sa çerdhe i keni ndërtuar dhe sa po barten?”, ka pyetur ai.

Ministri Murati është arsyetuar për mospërmbushjen e premtimit.

“Asnjë qeveri nuk ka që një projekt madhor ta përfundojë brenda një mandati. Kjo është e para. Asnjë projekt i madh nuk përfundohet brenda një mandati, sepse vetëm faza e planifikimit të merr kohë”, ka thënë ai.

E deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, teksa numëroi premtimet e parealizuara, u shpreh se buxheti duhet të rishikohet pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

“Unë e konsideroj si buxhet tranzitor deri në qeveritë e ardhshme. Diskutimi im do të jetë në kontekst të përmbledhjes, të realizimit të premtimeve tuaja që i keni pasë deri në fund të mandatit. Pra, faji juaj është mosrealizimi i shumë projekteve me kohë në komuna. I keni prezantuar 20 masa, 7 prej tyre kanë filluar të realizohen”, ka thënë ai.

Javën e kaluar, Qeveria miratoi Projektligjin për Buxhetin, që do të jetë 3.6 miliardë euro. Për investime kapitale janë planifikuar 930 milionë euro.

Nga opozita kanë deklaruar se nuk do ta votojnë atë.