Xhevat Krasniqi

Profesorit të denoncuar për ngacmime seksuale i ndërpritet ligjërata

Në shenjë proteste, të enjten, studentë e aktivistë ia kanë ndërprerë ligjëratën profesorit Xhevat Krasniqi, i denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual. Për denoncimet ndaj profesorit, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që rasti të trajtohet me seriozitet

Ligjërata e profesorit Xhevat Krasniqi në Fakultetin e Edukimit është ndërprerë të enjten në mëngjes nga disa studentë e aktivistë. 

Thirrjet për përjashtimin e profesorit, që Lëvizja Feministe Studentore i bëri për gjashtë ditë para Rektoratit, i adresoi edhe para Krasniqit, që është i denoncuar nga 27 studente për ngacmim seksual. 
Aktivistët u dëgjuan tek thërrisnin “S’ke çka me lyp këtu në Universitet”.

Për t’i larguar protestuesit, Krasniqi ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila edhe i erdhi. 

Krasniqi, i cili është i denoncuar në shkurt të këtij viti nga studentet e Fakultetit të Mjekësisë, vazhdon të mbajë ligjëratat në atë të Edukimit. 

Për rastin e tij Prokuroria Themelore në Prishtinë ka angazhuar Policinë në mbledhjen e informatave. 
Përveç nga Prokuroria, denoncimet janë duke u trajtuar edhe nga Këshilli i Etikës. Kjo instancë deri tash ka mbajtur katër seanca. 

Veprimet e Këshillit i ka komentuar të enjten edhe kryeministri Kurti. Ai ka thënë se rasti duhet të trajtohet me seriozitet. 

“Ka një aspekt socio-kulturor, dhe shpeshherë vrasja ndodh le të themi në fund të një procesi të dhunimit, përdhunimit, të shtypjes e diskriminimit e të ngacmimit të toleruar, ndër javë, muaj e ndonjëherë edhe ndër vite. Unë nuk mund t’ia bëj gjyqin Këshillit të Etikës të ‘Hasan Prishtinës’, mirëpo siç e thatë edhe ju nuk bëhet fjalë as për dy vajza apo shtatë vajza, por për 27 vajza, andaj unë shpresoj që edhe organet kompetente të ‘Hasan Prishtinës’ dhe i gjithë universiteti në përgjithësi do t’i marrin shumë seriozisht këto ankesa”, ka thënë Kurti.

Për gjashtë ditë para Rektoratit studentet nga Lëvizja Feministe Studentore kanë protestuar, duke kërkuar përjashtimin e profesorit Krasniqi.

Në protestat e tyre pati edhe ndërhyrje të policisë pasi aktivistët ua bllokonin derën anëtarëve të Këshillit të Etikës, duke iu kërkuar të merrnin vendim për rastin.