LAJMET E MBRËMJES

Pritje jo të gjata në hyrje të Kosovës, mërgimtarët thonë se nuk kanë pasur probleme nëpër Serbi

Fluksi i madh i ardhjes së bashkatdhetarëve në prag të festave të fundvitit ka filluar. E me të janë kthyer edhe kolonat në pikëkalimet kufitare me Serbinë. Një numër i madh prej tyre hynë sot në Kosovë edhe përmes pikës kufitare në Merdar, dhe te Dheu i Bardhë, ku pritjet shkonin deri mbi një orë. Mërgimtarët thanë se pritje më të gjata kanë pasur në pikat kufitare të Serbisë dhe Hungarisë.

Festat e fundvitit janë afruar, e tradita e përvitshme e bashkatdhetarëve për të ardhur në Kosovë vazhdon.

Shumë qytetarë nga Evropa mbërritën në vendlindjen e tyre. E në krahasim me disa ditë më parë që pritjet në pikën kufitare në Merdar ishte deri në tri orë, të dielën ato ishin dukshëm më të vogla.

Sipas tyre, në mesditë ka qenë shumë qetë dhe nuk ka pasur shumë kolona.

“Duke hi në Serbi kemi pasur pritje 1 orë e gjysmë në kufi të vogël, se në kufi të madh 12-13 orë ka fluks shumë të madh të bashkatdhetarëve që vijnë për festa”, ka thënë Ruzhdi Hysenaj, mërgimtar nga Gjermania.

“Kena kalu mirë, pritje s’kemi pasë hiç, veç në Hungari dhe Serbi nja 1 orë e gjysmë 2, por kështu krejt në rregull”, ka thënë Floart Mehmeti, mërgimtar nga Gjermania.

“Në Horgosht ka pasur pritje rreth 3 orë edhe këtu diku 1 orë, përndryshe diçka probleme nuk kemi pasur”, ka thënë Sylejman Kodra, mërgimtar nga Gjermania.

Disa qytetarë treguan se viteve të kaluara në pikat kufitare kanë pritur shumë më gjatë se këtë vit.

“Tjera vite e kemi pasë më vështirë ka pasë pritje shumë, por sot do të thotë ne jemi ardhë nëpër Serbi gjithmonë, por sikur sot që ka qenë e lirë asnjëherë”, ka thënë Alban Musa, mërgimtar nga Gjermania.

“Ka Kroacia vjet i kemi bë mbi 40 orë, se për ka Serbia nuk kisha udhëtu kurrë me dëshirë, kurrë asnjëherë”, ka deklaruar Imer Maloku, mërgimtar nga Gjermania.

E një mërgimtar që erdhi nga Zvicra, tha se e kishte me dilemë rrugën nëpër Serbi, duke marrë parasysh situatën aktuale me Kosovën.

“Kemi mëndu shumë herë për me bë rrugën nga Mali i Zi, por tani i kemi pa që shumë njerëz kanë kalu para neve dhe tash jemi shumë të relaksun për arsye se kemi kalu shumë mirë”, ka thënë Visar Berisha, mërgimtar nga Zvicra.

Pritje më të gjata të dielën pati në pikën kufitare te Dheu i Bardhë, ku kolonat ishin deri në 450 metra apo 120 minuta pritje, ndërsa në pikëkalimet e tjera kufitare pritjet ishin vetëm 5 minuta.