LAJMET E MBRËMJES

Prishtina miraton buxhetin me ndihmën e tre asamblistëve të LVV-së e të PDK-së

Pas katër dështimesh, të hënën është votuar buxheti për vitin 2025 në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Votimin e mundësuan asamblistët Berat Lahu dhe Edmond Azemi nga LVV-ja dhe Arbnora Ajeti nga PDK-ja, teksa në sallë nuk ishin asamblistët e tjerë nga këto dy parti. Pas kësaj, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje akuzuan kryetarin Përparim Rama se i ka blerë asamblistët opozitarë

Në tentimin e pestë, buxheti i Komunës së Prishtinës për vitin 2025 është votuar të hënën në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari Përparim Rama.

Votimin e buxhetit e kanë mundësuar Berat Lahu e Edmond Azemi nga LVV-ja dhe Arbnora Ajeti nga PDK-ja.

Për pjesëmarrjen e asamblistëve të LVV-së në votim nuk ishte në dijeni grupi i kësaj partie.

“Jo, ne nuk kemi qenë në dijeni që do të marrin pjesë. Nuk e di pse e kanë bërë këtë gjë, mirëpo me ta tani do të merren organet e drejtësisë”, ka thënë Gëzim Sveçla, shef i grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes.

Në një moment, ai është paraqitur në sallën e Kuvendit dhe është parë duke diskutuar me tone të larta me Lahun dhe Azemin, teksa në kohën e pauzës ka shkulur mikrofonin e kryesuesit të Kuvendit, Fehmi Kupina.

E sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka thënë për kryetarin Rama se i ka blerë votat e asamblistëve opozitarë. 

“Kemi ftuar këtë  konferencë për pazaret milionëshe që po ndodhin në Komunën e Prishtinës. Ka filluar edhe blerja e asamblistëve, ka kundërshtime edhe mes LDK-së për këto pika të rendit të ditës. Asamblistëve u janë ofruar tri shtëpi luksoze për votim. Ju bëjmë thirrje asamblistëve të vazhdojnë rrugën e drejtë”, ka thënë Azemi.

Pak pas seancës, Komuna e Prishtinës ka dënuar aktin që bëri shefi i grupit të asamblistëve Gëzim Sveçla, në Sallën e Kuvendit Komunal. 

Veprimi i Sveçlës, që shkuli mikrofonin e kryesuesit të Kuvendit, nga Komuna është vlerësuar si vandalizëm.

“Dënojmë ashpër dhe me indinjatë të thellë sjelljen e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, i cili vandalizoi sallën e Kuvendit Komunal, duke përdhosur institucionin dhe duke sfiduar parimet bazë të demokracisë. Prej muajsh, asamblistët e Vetëvendosjes kanë bllokuar çdo iniciativë në të mirë të qytetarëve, duke përfshirë këtu edhe miratimin e buxhetit me qëllim që të krijojnë ngërç dhe të bllokojnë ofrimin e shërbimeve jetike për qytetarët. Sot Vetëvendosje e demaskoi veten, duke dëshmuar se qëllimi i tyre i vërtetë ka qenë dhe mbetet: përdhosja e institucioneve dhe penalizmi i qytetarëve”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.

Për të dhënë versionin e tij, Sveçla thirri konferencë për media. Ai ka thënë se me këtë gjest ai është përpjekur që ta ndalojë mbajtjen e seancës, të cilën e ka quajtur klandestine.

“Rasti që ka ndodhur nuk ka të bëjë fare me miratimit e buxhetit. Unë si asamblist e kam ndërmarrë një veprim që e keni parë të gjithë. Bëhet fjalë për defunksionalizimin e mikrofonit që për një kohë shumë të shkurtër u funksionalizua sërish. Nuk bëhet fjalë për vandalizëm të sallës së Kuvendit, bëhet fjalë për veprim politik, aksion simbolik që ishte i domosdoshëm në mënyrë që të paktën përkohësisht të ndërpritej ajo seancë ku do të merreshin disa vendime që janë shumë të dëmshme për qytetin dhe për banorët e Prishtinës”, ka thënë ai.

Pas kësaj Sveçla është ftuar nga Policia për të dhënë deklaratë. Në një postim në faqen e tij në Facebook, thuhet se i është caktuar masa e mbajtjes për 48 orë.

“Unë mbiemrin e kam ‘Sveçla’, dhe nga një aksion simbolik që bëra, po më dërgojnë në mbajtje 48 h. Por kjo ndoshta është edhe Kosova që po e ëndërrojmë, pavarësisht mbiemrave të jemi të gjithë të barabartë. A jemi nuk e di? Veprimi im ishte për të shpërfaqur një pazar të madh në Prishtinë. Asgjë më shumë. Por imagjinoni përpara me mbiemra pushtetarësh çka ndodhte. As me i thirrë nuk kanë guxu, se lëre më shumë”, ka shkruar Sveçla.

Po gjatë ditës, aktivistë të LVV-së në shenjë pakënaqësie për miratimin e buxhetit, para hyrjes së objektit të Komunës kanë vendosur një baner me mbishkrimin “Komuna e Devollëve”.

Në fakt, në rend të ditës pos votimit të buxhetit pati edhe pika të tjera, ndër to edhe votimi i Planit Zhvillimor Komunal. Mirëpo seanca është ndërprerë në mungesë të kuorumit. Pas pauzës në sallë nuk u kthyen tre asamblistë të partisë në pushtet – LDK.

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka mohuar se ka përçarje brenda partisë.

“Nuk kam informacione të tilla, shumë shpejt do të dalim me një njoftim dhe do t’i bëjmë të ditur arsyet e mospjesëmarrjes së tyre”, ka thënë Zogaj.

KOHA ka provuar që të kontaktojë edhe me shefin e grupit të asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, mirëpo ai nuk është përgjigjur.

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka rrezikuar të shkojë në zgjedhje nëse deri në mars nuk do ta miratonte buxhetin.

Buxheti 128-milionësh, të hënën ka kaluar me 25 vota për. Kundër nuk pati e një asamblist ka abstenuar.