Partitë që përbëjnë pushtetin lokal në Prishtinë zgjodhën për kryesues të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovcin. E bënë këtë, ndonëse opozita e edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal thonë se Kuvendi e ka për kryesues Fehmi Kupinën.
Kuvendi Komunal i Prishtinës është bërë me dy kryekuvendarë.
I dyti u zgjodh të premten në një seancë të thirrur nga deputetë të partive të koalicionit, që qeverisin me kryeqytetin. Ata votuan për kryesues të Kuvendit asamblistin e LDK-së, Pëllumb Bajqinovci, pasi konsideruan se në seancën e 27 qershorit kanë shkarkuar nga kjo pozitë Fehmi Kupinën.
Por opozita në kryeqytet thonë se Kupina është kryesues legal, pasi konsideron se shkarkimi i tij është bërë në një seancë të thirrur në mënyrë të jashtëligjshme. Të jashtëligjshme atë e ka konsideruar edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, autoritet që vlerëson ligjshmërinë e vendimeve të komunave.
Pavarësisht kësaj, seanca për kryesuesin e ri u zhvillua të premten. Me 26 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër dhe me votim të fshehtë, Bajqinovci u votua për kryesues.
Ai tha se mandatin e mori në një proces ligjor.
Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dha vlerësim të njëjtë për procesin.
Në votim, pushtetit lokal i dolën në ndihmë edhe dy asamblistë të opozitës – Sami Borovci i AKR-së dhe Endrit Zabërgja i NISMËS.
Në seancë nuk morën pjesë asamblistët e tjerë opozitarë.
Një ditë më parë, kur seanca u thirr për ta zgjedhur kryesuesin e ri, ligjshmëria e saj u kontestua nga Fehmi Kupina, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga vetë MAPL-ja.