Gogaj ka dalë të enjten para Gjykatës së Apelit, pasi që është apeluar vendimi i Gjykatës Themelore, e cila e pati shpallur atë fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe e pati dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim. Pala e dëmtuar ka kërkuar që rasti të kualifikohet si vrasje e rëndë, teksa mbrojtja e të akuzuarit ulje të dënimit. Gogaj është dënuar dy herë nga shkalla e parë me dënim të njëjtë për vrasje nga pakujdesia
Avokati dhe prindërit e Agonis Tetajt, 29-vjeçarit i cili u vra gjashtë vjet më parë në Deçan, kanë paraqitur kërkesë të enjten që rasti të kualifikohet si vrasje e rëndë dhe që i akuzuari Shaban Gogaj të dënohet konform veprës së kryer.
Gogaj ka dalë të enjten para Gjykatës së Apelit në Prishtinë, pasi që është apeluar vendimi i Gjykatës Themelore, e cila e pati shpallur atë fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe e pati dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim.
Berat Tmava, përfaqësues i palës së dëmtuar, ka thënë se i akuzuari Gogaj duhet të shpallet fajtor për vepër penale “vrasje e rëndë” dhe jo për atë “vrasje nga pakujdesia”.
“Ne mbesim në tërësi pranë ankesës së dorëzuar në këtë gjykatë dhe më lejoni të them se familja e dëmtuar Tetaj jemi të bindur dhe duke pasur parasysh që ka pasur persona që nuk ia duan të mirën drejtësisë tashmë kanë kaluar më tepër se 6 vjet që kur Agonisi është vrarë dhe ende nuk po mund të gjejmë qetësi”, ka thënë avokati Tmava.
Prindërit e Agonis Tetajt kanë thënë se duan vetëm drejtësi për të birin e vrarë.
“Prej fillimit kur ka ndodhur ky rast, kam kërkuar që të vendoset drejtësi, më së largu brenda 1 viti. Qe 6 vjet janë bënë, unë jam duke u maltretuar nëpër seanca”, ka thënë babai i Agonisit, Isuf Tetaj.
Pritje të njëjtë ka shprehur edhe Nurije Tetaj, nëna e të vrarit.
“Të merret një vendim këtu, mos të vijmë më nëpër gjykata, pajtohem me ankesën që e kemi parashtruar”, është shprehur ajo.
Ankesë kanë shtruar edhe pala e të akuzuarit, si dhe vetë Prokuroria, porse në këtë seancë nuk ka pasur përfaqësues.
Gjyqtari referues në Apel, Hashim Çollaku, ka thënë se pretendohet që në këtë çështje gjykata e shkallës së parë nuk i ka shqyrtuar të gjitha provat.
“Nuk i ka vlerësuar të gjitha deklaratat, të gjitha provat dhe nuk ka nxjerrë aktgjykim të drejtë për veprën penale, sepse të gjitha provat e cekura janë pjesë përbërëse e kësaj çështjeje penale. Po ashtu, ka bërë ankesë për shkelje të ligjit penal, ku gjykata e shkallës së parë nuk ka vepruar ashtu që kryerësi i kësaj vepre është akuzuar”, ka thënë Çollaku.
E avokati i të akuzuarit Gogaj, Besnik Berisha, ka kërkuar që klientit të tij Apeli t’ia ulë dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë.
“Apeli ynë është që për rrethana lehtësuese që i kemi artikuluar në ankesë, ankesa jonë të aprovohet, ankesa e palës së dëmtuar konsiderohet e palejuar, ankesa e Prokurorisë njëkohësisht dhe ju përfundimisht të vendosni drejt dhe ligjshëm me rrethanat që i kemi ofruar”, ka thënë avokati i Gogajt.
Më 14 tetor të 2022-s, Gjykata Themelore në Pejë pati shpallur aktgjykim dënues për Shaban Gogajn, duke ia shqiptuar dënimin me 7 vjet e 6 muaj burgim për “vrasje nga pakujdesia”.
Pas ankesave, Gjykata e Apelit më 23 mars të 2023-s e pati kthyer rastin në rigjykim dhe lëndën e ka bartur në Gjilan. Edhe Themelorja e Gjilanit i ka shqiptuar dënim të njëjtë të akuzuarit Gogaj dhe tash rasti është në Gjykatën e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Gjykata Themelorja në Pejë, Shaban Gogaj akuzohet se më 23 shtator të 2018-s, në kompaninë e tij në Deçan, me dashje e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn, i cili ka qenë punonjës në kompani.