Dy ligje i janë kthyer Kuvendit nga presidentja Vjosa Osmani. Ajo ka konsideruar se me ndryshimet e bëra në Ligjin për Këshillin e Sigurisë, rrezikohet siguria kombëtare në situatën pasi të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, ndërsa përmbajtja e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, rrezikon mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve
Presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar t’i dekretojë dy ligje të cilat Kuvendit ia ka kthyer për rishqyrtim.
Njëri nga ta është Ligji për Këshillin e Sigurisë, i miratuar një muaj më parë. Sipas presidentes, përmbajtja e tij rrezikon sigurinë kombëtare, meqë janë fshirë nenet që i referohen gjendjes së jashtëzakonshme.
“Shpallja e ligjit për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës do të krijonte zbrazëti ligjore në rregullimin e funksionimit të Këshillit të Sigurisë në gjendje të jashtëzakonshme, pikërisht në një situatë kur funksionimi i mirëfilltë e i bazuar në ligj është i rëndësisë jetike. Kjo mangësi së pari rrezikon drejtpërdrejt interesat legjitime të Republikës së Kosovës, dhe së dyti bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sipas presidentes, në gjendje të jashtëzakonshme, ligji i miratuar pengon bashkërendimin dhe bashkëpunimin institucional në fushën e sigurisë kombëtare.
Kthimi i këtij ligji në Kuvend, sipas drejtorit të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, shpërfaq paaftësinë e partisë në pushtet.
“Pas Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, edhe presidentja e Republikës, i tregon qeverisë dhe Kuvendit se nuk dinë të hartojnë ligje dhe politika në pajtim me Kushtetutën”, ka thënë Miftaraj.
Lidhur me ndryshimet që janë kërkuar nga presidentja, KOHA ka dërguar pyetje në Kuvend dhe në Qeveri, por përgjigjet kanë munguar.
Përveç Ligjit për Këshillin e Sigurisë, presidentja Osmani ka marrë vendim që ta kthejë në rishqyrtim edhe Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit, pasi ka konsideruar se dispozita të caktuara të tij rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e qytetarëve.
Ligji për konsumatorin është miratuar në Kuvend më 31 tetor.