Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, është nderuar të dielën nga Kuvendi Komunal i Deçanit me titullin “Qytetar Nderi”. Kjo komunë e ka vlerësuar presidentin Begaj si figurë unifikuese të shqiptarëve. Paraprakisht ai ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan. Begaj ka vlerësuar lart sakrificën dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve për lirinë e Kosovës
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e përvjetorit jubilar të çlirimit të Kosovës, Kuvendi Komunal i Deçanit ka ndarë titullin “Qytetar Nderi” për presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në seancën solemne të dielën, Begaj u vlerësua si figurë unifikuese e shqiptarëve.
“Me propozimin e kryetarit Bashkim Ramosaj, duke parë që presidenti Bajram Begaj është një nga personalitetet me integritetin më të lartë njerëzor e politik, jo vetëm në Shqipëri por në të gjitha trojet shqiptare, ai është shndërruar në figurën me unifikuese të shqiptarëve dhe është duke e nderuar shtetin shqiptar kudo në botë”, ka thënë Hajdar Sutaj, kryesues i Kuvendit Komunal.
Pas pranimit të këtij çmimi, Begaj ka thënë se Kosova dhe Shqipëria e kanë vendin në Bashkimin Evropian.
“Fati na ka dërguar në rrugë të ndryshme, por përcaktimi i tij është i njëjtë, të gjithë bashkë do të jemi në Evropë, me një Kosovë të lirë e të pavarur. Për këtë Deçani ka shkrepur pushkët e para të UÇK-së, në këtë 25-vjetor të çlirimit kujtojmë të gjithë dëshmorët dhe të rënët me respekt e krenari. Nga sot jam shumë i nderuar që të jem ‘Qytetar Nderi’ i kësaj komune”, ka thënë Begaj.
Në seancën solemne i pranishëm ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, parti prej nga vjen edhe kryetari i Komunës, Ramosaj.
Ai ka thënë dyert e Komunës së Deçanit do të jenë gjithmonë të hapura për presidentin Begaj.
“Faleminderit që keni ardhë këtu, ashtu siç kanë thënë edhe shqiptarët e vjetër në të kaluarën, kanë thënë kjo është shtëpia juaj, pra ju keni ardhë në shtëpinë e juaj, çdoherë do të jeni në shtëpinë e juaj”, ka thënë Haradinaj.
Para ceremonisë së pranimit të titullit, Begaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.
Begaj ka vlerësuar lart gjithë sakrificën e të rënëve për çlirimin e Kosovës, duke shtuar se liria duhet të mbrohet me çdo kusht.
“Është kënaqësi të jem këtu në Deçan, në këtë vend të shenjtë për të vazhduar festimet tona për 25-vjeotorin e Çlirimit të Kosovës. Jemi këtu për të vlerësuar gjithë sakrificën, gjithë gjakun e derdhur për të arritur në këtë ditë të lirisë që është e jashtëzakonshme për ne dhe për shqiptarët. Prandaj duhet ta mbrojmë me çdo kusht”, ka theksuar ai.
Falënderues për vizitën e Begajt u shpreh Haradinaj
“Në ditët më të bukura tona, presidenti i Shqipërisë me zonjën e parë, shkëlqesia e tij, gjeneral Bajram Begaj ka vizituar Gllogjanin, Deçanin edhe një herë, pra Kosovën. Jam i nderuar të qëndroj para jush president Begaj në këtë vend këtu ku qëndrojnë e pushojnë luftëtarë të zotë, shqiptarë të zotë, heronj të mirë. Jam i bindur që ata janë të gëzuar që ne sot jemi bashkë”, u shpreh Haradinaj.