LAJMET E MBRËMJES

Pos për marrëveshje ndërkombëtare, opozita ndryshon qëndrimin edhe për disa projektligje

Krahas konsensusit për marrëveshje ndërkombëtare, deputetë opozitarë kanë ndryshuar qëndrimin edhe për një numër projektligjesh që prej kohësh ndodhen në Kuvend. Të enjten ligjvënës të PDK-së dhe ata të LDK-së kanë marrë pjesë edhe në votimin e amendamenteve të Projektligjit për Fertilizim të Asistuar Mjekësor, por numri i tyre nuk ka qenë i mjaftueshëm sa të kompensoheshin mungesat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) e të cilët janë deklaruar kundër

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten edhe tetë marrëveshje ndërkombëtare, vendimmarrje e cila është mundësuar nga vota pro e deputetëve të Partisë Demokratike (PDK), të cilët deri javën e shkuar kanë refuzuar që të votonin. 

Nuk ka kaluar vetëm një nga marrëveshjet të cilat të enjten janë përfshirë me mocion në rend dite. Ndërkaq votat e mjaftueshme i kanë marrë të tjerat, ndonëse disa nga ligjvënësit kanë shprehur vërejtje, si në rastin e marrëveshjes së kredisë 25-milionëshe me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për Projektin “Banimi social adekuat”. 

Avdullah Hoti, deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), është shprehur kritik për kreditë sa u përket skemave sociale. Ai ka thënë se nuk mund të flitet për zhvillim kur një qeveri nuk mund t’i dalë zot përmirësimit të kushteve të kategorive sociale të shoqërisë.

“Problemet kryesore me këtë marrëveshje, në fakt fundamentale, janë që ne po marrim kredi në vend që të zbatohet buxheti i rregullt. Shkalla e realizimit te projekte të ndryshme është shumë e ulët”, është shprehur ai.

E deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka theksuar se ka shumë rëndësi se në bazë të të cilave kritere do të bëhet përzgjedhja e familjeve, se në çfarë mënyrë do të operohet me komunat të cilat do të jenë bartëse të procesit të ndërtimit në situata të caktuara dhe menaxhimit të stokut të këtyre banesave.

“Ne po e trajtojmë një projektligj për mundësi për kredi për banim social adekuat përderisa ligjin për banim social ministri që është këtu prezent nuk e ka sjellë në Kuvend. Draftligji ekziston që nga viti 2019”, ka thënë ajo.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka sqaruar se do të ketë një përzierje të familjeve përfituese nga kjo marrëveshje. 

“Nga kjo komponentë mund të përfitojnë familjet e cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta, të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit. Po ashtu, përmes qirave të përballueshme mund të përfitojnë edhe familjet me të ardhura të ulëta deri tek ato me të ardhura të mesme, të cilat e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut për banim”, ka thënë ai. 

PDK-ja ka marrë vendim që t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, pas takimit që kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti dhe të cilët kanë dhënë zotimin se janë pro shpërndarjes së Kuvendit në funksion të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. 

Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, ka thënë se në seancë i është bërë një pyetje nga shefi i Grupit parlamentar të PDK-së.

“Abelard Tahiri po më pyet mos po doni me qit harxh me shpërnda edhe Kuvendin”, është shprehur ai. 

Përpos marrëveshjeve ndërkombëtare, ligjvënës të PDK-së kanë votuar edhe për disa projektligje që pushteti ka dështuar t’i miratojë prej kohësh, për shkak të mungesës së përkrahjes nga disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Mes tyre, edhe Ligjin për Verërat, i cili në Kuvend është sjellë nga Qeveria prej gati një viti e gjysmë. 

Deputetë të PDK-së e edhe disa të LDK-së kanë marrë pjesë edhe në shqyrtimin e Projektligjit për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor, i cili kundërshtohet nga një numër deputetësh të Vetëvendosjes. 

Një amendament i propozuar nga deputeti i LVV-së, Visar Korenica, është rrëzuar për shkak të bojkotit të një numri të deputetëve të partisë së tij.

“Ligji që na ka ardhur si draft për votim thotë që i jep të drejtën edhe individit që të vendosë lirshëm. E, ne jemi kundër kësaj që është propozuar dhe mendojmë që është shumë e dëmshme për shoqërinë nëse e lejojmë që kështu të kalojë. Pra, vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë të vendosin me vullnetin e tyre për të pasur fëmijë, e assesi individi apo gruaja e pamartuar”, ka propozuar Korenica. 

Për miratimin ose rrëzimin e amendamentit nuk ka pasur vota dhe kryeparlamentari Konjufca nuk ka pranuar që të tentohej të shqyrtohej më tej. 

“Refuzoj unë që ta bëj kështu më, pa qenë grupet parlamentare pak më të vendosura”, është shprehur ai. 

Kuvendi do të mbajë seancë edhe të premten, e në të cilën është paraparë që të shqyrtohet Projektrezoluta e sponsorizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për performancën e tre vjetëve të punës së Qeverisë Kurti.