Në kuadër të Ditës Kombëtare për Personat e Zhdukur me Forcë, Qendra Burimore për Persona të Zhdukur organizoi diskutim me familjarë, organizata dhe institucione. Aty u theksua se politizimi i procesit dhe mungesa e bashkëpunimit nga Serbia vazhdojnë të jenë sfidat kryesore në zbardhjen e fatit të të pagjeturve të luftës në Kosovë
Tendenca e politizimit dhe mungesa e bashkëpunimit nga ana e Serbisë po konsiderohen si sfidat më të mëdha në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Të hënën, Qendra Burimore për Persona të Zhdukur mbajti një diskutim ku morën pjesë familjarë, organizata dhe institucione që merren me gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Mbledhja nisi me një minutë heshtje në nderim të Bajram Qerkinit, veprimtar dhe themelues i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, që vdiq në muajin shkurt.
Anëtari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha se gjatë katër muajve të këtij viti, familjeve u janë dorëzuar për rivarrim mbetjet mortore, kufomat apo eshtrat e 25 viktimave. Megjithatë Gara përmendi disa sfida.
“Procesi i ndriçimit të fatit të personave të zhdukur mbetet i vështirë. Po i potencoi tri sfida me të cilat po përballemi në këtë proces, e para mungesa e informatave të besueshme ose kredibile që për ne Komisionin Qeveritar të Republikës së Kosovës nënkupton një mungesë ta gatishmërisë për bashkëpunim nga pala serbe”, tha Gara.
E Baki Sfirca, përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë në këtë diskutim, u shpreh se një pjesë e problemeve në gjetjen e personave të zhdukur i adreson Strategjia për Drejtësi Tranzicionale.
“Në zbulimin dhe identifikimin e personave të zhdukur me forcë kemi një tendencë të vazhdueshme të politizimit dhe mbi këtë bazë strategjia obligon institucionet tona publike, prapë po e them edhe një gjë, që Kosova nuk duhet të jetë peng i raporteve ose lëvizjeve ndër-rajonale”, tha Sfirca.
Negovan Mavriq, nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, tha se familjarët e personave të pagjetur nuk po gjejnë qetësi as pas 26 vjetësh nga përfundimi i luftës.
“1600 familje i kemi që i kërkojnë më të dashurit e tyre dhe nuk dinë për fatin e tyre dhe për atë arsye jemi këtu që së bashku të kërkojmë nga institucionet edhe këtu edhe në Beograd edhe gjithkund që fati i të zhdukurve të zbardhet. Prindërit po vdesin, familjarët po vdesin dhe në fund nuk e dine fatin e më të dashurve”, tha Mavriq.
27 prilli është Dita kombëtare e personave të zhdukur me forcë dhe në kuadër të kësaj ditë u zhvillua edhe ky aktivitet.