Problemet e vazhdueshme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës po i shpien ata drejt ikjes nga vendi i tyre. Arsyeja kryesore e ikjes së tyre janë politikat serbe, të cilat po ua pamundësojnë punësimin, shkollimin etj. E largimi nga vendi shqiptarëve po u kushton me pasivizimin e adresave, proces ky që bën tkurrjen e popullsisë shqiptare në Luginë.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen me një mori problemesh për të cilat nuk shohin zgjidhje. Disa prej tyre janë falënderues ndaj Kosovës dhe Shqipërisë për ndihmën e ofruar e disa prej tyre presin më tepër.
Ata shprehin shqetësimin për situatën në të cilën gjenden, sidomos kur para tyre shohin gjithnjë të njëjtat probleme që nuk zgjidhen e të cilat i bëjnë të ndihen të braktisur.
“Babë s’kena na, nanë s’kena na. Neve na e kanë lanë drynin, Merkeli na e ka marrë çelësin. N’ardhtë Merkeli na e çel derën, s’erdh, na jena t’mbylltë”, ka thënë një qytetar.
“S’kemi kurgja hiç, s’kemi marrëdhënie të mira, ma keq se serbet në Kosovë jemi na shqiptarët në Luginë. Na me u çue n’demostrata nuk guxojmë, si të çohemi na mshelin”, ka deklaruar një tjetër.
“Mas shumti për migrimin e të rinjve, ekonomia është katastrofale”, është shprehur një tjetër qytetar.
Ajo që më së shumti po i preokupon shqiptarët e Luginës është ikja e shumë prej tyre nga vendi që po pasohet me pasivizimin e adresave të banimit nga autoritetet serbe për shkak të mosqëndrimit të përhershëm në shtëpitë e tyre.
Pasivizimi ka shkaktuar telashe në Komunën e Medvegjës, sipas kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
“Në këtë komunë kemi rreth 7000 shqiptarë të pasivizuar. Edhe pse shqiptarët kanë ardhur, kanë dashtë të regjistrohen, nuk ua kanë mundësuar, ua kanë ikur terminët, kanë thënë që nuk mund të regjistroheni, sepse jeni pasivizuar e të tjera”, ka thënë Arifi.
Madje për këtë Arifi ka akuzuar qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë për mosangazhim për të sensibilizuar mjaftueshëm këtë problematikë. Ai gjithashtu fajëson edhe BE-në, se me mosreagimin e tyre po ia lë duart e lira Serbisë për këtë qasje diskriminuese ndaj shqiptarëve të Luginës.
Mirëpo, ky fenomen nuk po ndodh për herë të parë në Luginë. Sipas të dhënave në librin “Popullsia dhe vendbanimet shqiptare të Luginës së Preshevës”, të Hivzi Islamit dhe Arsim Ejupit, një metodë thuajse e përafërt ka ndodhur edhe gjatë regjistrimit të popullsisë në vitin 2002 në Serbi.
Dy dekada më parë Serbia kishte aplikuar koncepcionin e popullsisë së pranishme, përmes së cilit personat që nuk kanë jetuar për më shumë se 1 vit në vendin e tyre të përhershëm të banimit kishin mbetur të papërfshirë në procesin e regjistrimit.
Për shkak të kësaj metode në procesin e regjistrimit të vitit 2002 në tri komunat e Luginës kanë mbetur të paregjistruar më se 22.000 shqiptarë.
E kjo formulë e regjistrimit nuk ka një vazhdimësi historike nga koha e Jugosllavisë.
Në regjistrimet e popullsisë që nga vitet 1948 - 1991 është aplikuar koncepcioni i popullsisë së përhershme, ku personat që kanë munguar përkohësisht në momentin e regjistrimit, prapëseprapë janë evidentuar si banorë të përhershëm.
Sot ka një frikë se regjistrimi i popullsisë mund të ketë edhe të tjera manipulime pasi në Entin e Statistikave të Serbisë nuk ka asnjë shqiptar të përfshirë në procesin e regjistrimit.
Nga procesi i regjistrimit të këtij viti, ku rezultatet preliminare pritet të dalin në muajin janar, parashihet që në Luginën e Preshevës të jenë rreth 100 mijë shqiptarë.
Por, numri besohet të jetë shumë më i lartë po mos të ishte niveli i lartë i migrimit.
Sipas të dhënave të Këshillit Kombëtar Shqiptar, vetëm në Kosovë jetojnë rreth 30 mijë shqiptarë të Luginës.
Migrimi i shqiptarëve lidhet drejtpërdrejt me mungesën e mundësive për punë dhe diskriminim sistematik nga shteti serb.
Mungesën e punësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore e vë në theks kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Ragmi Mustafi.
“Për zjarrfikësit në Bujanoc nuk ka asnjë shqiptar, për zjarrfikësit në Preshevë e kemi vetëm 1, Kryqi i Kuq në Bujanoc nuk ka asnjë shqiptar. Institucionet shëndetësore nuk udhëhiqen nga shqiptarët qoftë në Preshevë ku janë 95% shqiptarë, udhëhiqet nga një pjesëtar i komunitetit serb, njëjtë ndodh edhe me Komunën e Bujanocit”, ka thënë Mustafi.
Për kryetarin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë, Belgzim Kamberi, diskriminimi është shumëdimensional.
“Në njërën anë e kemi diskriminimin institucional dhe në anën tjetër e kemi shtypjen socio-ekonomike, por kemi edhe shtypjen ksenofobike, pra shtypjen shqiptarofobie në Serbi, të cilën e ka fuqizuar ardhja në pushtet e Vuçiqit, i cili e ka rritur urrejtjen ndaj shqiptarëve”, ka deklaruar Kamberi.
Hera e fundit kur shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë ka qenë viti 2002, nga rezultatet e të cilit në Luginë kanë qenë 88.966 qytetarë të regjistruar, prej tyre 57.737 shqiptarë.
E ndonëse në pritje janë që numri i shqiptarëve të regjistruar në Luginë të arrijë në 100 mijë, kur në janar të publikohen rezultatet, lufta për të drejta themelore dhe ndaj diskriminimit sistematik nga shteti serb do të vazhdojë në Luginë.