LAJMET E MBRËMJES

Policia mbyll disa komuna e zyra ilegale, Prokuroria njofton se nuk dha autorizim

Nëpërmjet aksionit të përbashkët të Ministrisë së Brendshme, Policisë, Ministrisë së Industrisë dhe të Administrimit të Pushtetit Lokal, të mërkurën janë mbyllur komunat paralele serbe, posta e zyra tatimore në disa lokacione të Kosovës. Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se nuk ka dhënë autorizim për Policinë e Kosovës që të kryejë kontrolle në lokacionet ku u mbyllën strukturat paralele serbe. E zyrtarët serbë thanë se ky aksion u krye për qëllime elektorale të kryeministrit Albin Kurti. Reagoi edhe BE-ja duke thënë se mbyllja e strukturave paralele nuk i ndihmon Kosovës në heqjen e masave

Policia e Kosovës ka mbyllur përkohësisht dhjetëra institucione paralele të Serbisë në një aksion të gjerë në disa komuna të mërkurën, për çka Prokuroria njoftoi se nuk ka dhënë autorizim.

Shirita policorë dhe letra në dyer me lajmërimin për ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë i janë vënë edhe objektit të komunës paralele në Graçanicë. Aty jepet udhëzimi se përbën obligim kërkesa për t’u paraqitur në Inspektoratin e Tregut pranë Ministrisë së Industrisë (MINT). 

Pak metra larg godinës komunale ndodhet edhe Posta e Serbisë, ku zyrtarët institucionalë pasi vënë shiritat për disa minuta kanë qëndruar brenda objektit bashkë me drejtues të postës që kishin dalë në vendin e punës. Pasi u larguan nga objekti bashkë me disa dokumente dhe flamurin e Serbisë, drejtori i Postës në Graçanicë, Ivan Milojeviq tha se aksioni u krye me urdhër të kryeministrit Albin Kurti, për qëllime elektorale. 

“Sot erdhi Policia për të na mbyllur në jug dhe në veri. Në jug na kanë mbyllur në shumë vende, është një veprim i njëkohshëm në disa lokacione. Krejt kjo është e panevojshme. Sot gjoja në Bruksel po negociohet për këtë postë, ndërsa kjo që po bëjnë është populizëm i Albin Kurtit që nuk do të sjellë asgjë të mirë. Nuk e di se cilat janë llogaritjet e tij, por pa dyshim që kjo nuk është mirë, veç nëse ai ka nevojë për këto lloj veprimesh për të mbledhur vota para zgjedhjeve”, tha Milojeviq. 

Aksioni i Policisë është vëzhguar edhe nga zyrtarë të EULEX-it, të cilët janë parë afër komunës dhe zyrës postare në Graçanicë. 

Ekipi i Kohës ka vizituar edhe Obiliqin ku në Plemetin u mbyllën komuna paralele dhe zyra postare që kanë operuar brenda një objekti, si dhe kompania e pastrimit që ka funksionuar me sistem të Serbisë. 

Aksione pati edhe në Lipjan, Fushë-Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec e Skenderaj.

Sveçla: Përfundoi epoka e institucioneve paralele

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla përmes një deklarate në “Facebook” tha se aksioni u krye në bashkëpunim me Policinë, Ministrinë e Industrisë dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal. 

“Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenojë Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë. Nga sot, kapitulli i institucioneve paralele ilegale, kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës mbyllen. Në Banjë e gjithandej në pjesët e tjera të Republikës së Kosovës, objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”, ka thënë Sveçla. 

Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se 28 komunat paralele dhe 5 qarqet e tyre mbyllen përfundimisht. 
“Këto institucione paralele kriminale të Serbisë nuk kanë vend në Republikën e Kosovës”, ka potencuar ai. 

E, Policia e Kosovës, përmes një komunikate tregoi për operacionin e ndërmarrë. 

“Policia e Kosovës me njësitë e saj relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë e Jugut, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka, etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Republikës së Kosovës”, shkruan në komunikatën e Policisë. 
Sipas tyre, qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka asistuar zyrtarët e kësaj ministrie si dhe të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligjshme të këtyre institucioneve.

Deklarata e Prokurorisë nxit reagimin e partisë në pushtet

Por Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se s’ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet ku u mbyllën strukturat paralele serbe.

Sipas Prokurorisë, s’ka pasur kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga institucionet gjegjëse, duke shtuar se s’ka pasur kurrfarë prove për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. 

“Prokurori i Shtetit, duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i Shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë. 

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur skandaloze deklaratën e Prokurorisë Themelore. Sipas Haxhiut, kjo prokurori do të duhej të vepronte shumë vite më parë, tek ka pyetur se në shërbim të kujt është ky institucion. 

“Çfarë deklarimi skandaloz i Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Në vend që të vepronin shumë vite më parë, dhe t'i mbyllnin zyrat e strukturave ilegale, ata nga zyrat e tyre lëshojnë komunikata kundër veprimeve të ligjshme dhe të drejta të Policisë. A ka kush që i kupton këta zyrtarë të shtetit që mbajnë emrin prokurorë? Në shërbim të kujt janë?”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”. 

Aksioni i sotëm është vazhdimësi e atyre të vitit të kaluar ku janë mbyllur organe të strukturave paralele të Serbisë. Organe të përkohshme komunale janë mbyllur në Pejë, Istog, Klinë, Skenderaj dhe në komunat në veri. Veç ndalimit të përdorimit të dinarit serb, është mbyllur edhe kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq.