Në prag të ndërrimit të motmoteve, Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të mos përdorin mjete piroteknike, armë apo çdo mjet tjetër të rrezikshëm që mund të dëmtojë ata dhe rendin publik. Policia ka thënë se me qëllim të menaxhimit të situatës së sigurisë ka hartuar planin operativ. Thirrje për kujdes të shtuar kanë bërë edhe nga Komuna e Prishtinës. E për Vitin e Ri qytetarët i kanë uruar liderët institucionalë e ata të partive politike
Florinda Abazi
Policia e Kosovës ka njoftuar se me qëllim të menaxhimit të situatës së sigurisë ka hartuar planin operativ “fundviti – 2024 dhe fillimi i vitit 2025”.
Në njoftimin e Policisë thuhet se përmes këtij plani, është paraparë angazhim i personelit shtesë të Policisë, me shtim të prezencës policore në rrugë dhe në ambiente të hapura, në sheshe e lokacione ku ka frekuentim më të madh të qytetarëve.
Sipas Policisë, kësisoj do të bëhet i mundur parandalimi dhe luftimi i dukurive negative dhe akteve të ndryshme kriminale.
“Policia e Kosovës ka paraparë ndërmarrjen e masave parandaluese me shtim të prezencës policore në gjithë Republikën e Kosovës, përfshirë edhe zonat e ndjeshme, posaçërisht në ato lokacione me popullatë të përzier, përveç kësaj ka paraparë edhe ndërmarrjen e masave ligjore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe luftimin e dukurive negative që mund të shkaktojnë jostabilitet në çfarëdo mase që e rrezikon rendin, qetësinë dhe sigurinë publike. Në kuadër të këtij plani operativ do të ketë shtim të vigjilencës dhe prezencës së njësive të ndryshme policore në rrugë, me qëllim që të mbikëqyret trafiku rrugor, në mënyrë që të ndikohet në parandalimin e aksidenteve rrugore si dhe të incidenteve të mundshme në trafik, njëkohësisht apelon që përgjatë frekuentimit të trafikut rrugor të respektohen të gjitha dispozitat ligjore, shenjat e trafikut, t’u përmbahemi kushteve të rrugës, e në veçanti të mos drejtohen automjetet nën ndikim të alkoolit”, tha Policia e Kosovës.
Policia ka apeluar për kujdes edhe gjatë përdorimit të mjeteve piroteknike.
Thirrje për shtim të sigurisë dhe kujdesit ditë më parë është bërë edhe nga Komuna e Prishtinës.
Ndonëse nuk është paralajmëruar ndonjë aktivitet i organizuar nga komuna, kryetari Rama ka thënë se festën e Vitit të Ri do ta kalojë së bashku me qytetarët.
Në prag të Vitit të Ri, qytetarët i ka uruar presidentja Osmani, duke thënë se në vitin 2025 si institucione do të vazhdojnë të punojnë që të ecet përpara e sigurt për integrime në familjen euroatlantike.
“Këto ditë nuk janë mbushur vetëm rrugët, por janë shtuar edhe buzëqeshjet, hareja e lumturia. Për të gjithë mërgimtarët që po kalojnë këtë fundvit në vendlindje, urimet më të ngrohta dhe më të sinqerta. Këto janë momentet më të mira për të ndarë gëzimin e festave me ata që i keni më të shtrenjtë. Kosova mbetet shtëpia juaj e përhershme. Shëndet dhe lumturi, kudo që ndodheni!” – tha Osmani.
Qytetarët për Vitin e Ri i kanë uruar edhe udhëheqësit e tjerë shtetërorë e ata të partive politike.