E në tentimin e tretë për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dha edhe një deklaratë kërcënuese për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Tha se policia nuk do të lejojë inspektorët të ndërpresin sërish punimet, por shpejt u demantua. E nga shoqëria civile kanë thënë se Rama duhet t’u bindet ligjeve e vendimeve të gjykatave
Komuna e Prishtinës ka rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush” dhe kryetari i saj, Përparim Rama, gjatë inspektimit të vendpunishtes, tha se janë marrë të gjitha masat kundër Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore në rast se ndërhyn.
Ky inspektorat ndaloi dy herë punimet në shesh, pasi bëhet fjalë për zonë të mbrojtur dhe duhet leje.
E të hënën, kryetari Rama u shpreh se Inspektorati do ta ketë të pamundshme të ndalojë punimet, pasi sipas tij, Policia do ta çojë në shtëpi.
“Për Inspektoratin i kemi policinë edhe i çon Inspektoratin te shtëpia edhe punimet vazhdojnë”, tha Rama.
Pak orë më vonë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë reagoi ndaj kësaj deklarate, duke thënë se prezenca e policisë në vendpunishte ishte vetëm asistim i Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës.
“Prezenca e zyrtarëve policorë në sheshin ‘George Bush’ në Prishtinë, sot ishte në asistim të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, për aktivitete të planifikuara në kuadër të punës sekondare, aktivitete këto që nuk ndërlidhen me asistimin e kryerjes se punimeve në atë zonë. Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera. Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në reagimin e Policisë.
Nga shoqëria civile kanë kundërshtuar veprimet e Komunës për vazhdim të punimeve.
Liridon Salihi, koordinator i projekteve në Grupin për Studime Juridike dhe Politike tha se secili projekt që lidhet me ndërhyrje në lokacione brenda kryeqytetit, duhet të jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Vazhdimi i punimeve në sheshin “Xhorxh Bush” është i kundërligjshëm sepse bie në kundërshtim me Aktvendimin e Gjykatës Komerciale për pezullim të punimeve e gjithashtu edhe me kërkesat e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore”, tha Salihi.
Komuna po i vazhdon punimet edhe në rrugën “Rexhep Luci”, të cilën synon ta kthejë në shesh, megjithëse Gjykata Komerciale ka nxjerrë masë të përkohshme për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të kryetarit