LAJMET E MBRËMJES

Policia arreston një të dyshuar pasi një punëtor vdiq nga shembja e dheut lagjen “Veternik”

Një person është arrestuar pasi një punëtor vdiq e një tjetër u lëndua rëndë në vendin e punës të shtunën. Në shoqërinë civile kanë alarmuar për rritje të numrit të fataliteteve në vend të punës. E Qendra për Politika dhe Avokim, rekomandon që fokusi të jetë te sektori i ndërtimit, ku shumica e punëtorëve marrin lëndime të rënda.

Një person është arrestuar pasi një punëtor vdiq nga lëndimet që i mori të shtunën pas shembjes së dheut në një vendpunishte të lagjen “Veternik” e një tjetër punëtor mori lëndime të rënda.

Policia ka njoftuar se i arrestuari po dyshohet për veprën penale “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse”.

“Është raportuar se gjatë punimeve te një objekt në ndërtim është shembur dheu dhe i ka zënë dy persona, meshkuj kosovarë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe urgjenca, të cilat kanë arritur që t’i nxirrnin personat nga gropa, ku u është ofruar trajtim mjekësor, mirëpo njëri nga personat nuk ka arritur që t’u mbijetojë plagëve dhe nga stafi mjekësor është konstatuar vdekja e tij, ndërsa personi tjetër është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Lidhur me rastin është arrestuar një mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Ky ishte punëtori i 8-të që mbeti i vdekur në vendin e tij të punës gjatë katër muajve të parë të vitit 2025, ka njoftuar Sindikata e Sektorit Privat.

E ky numër është dukshëm më i madh se ai i vitit 2024 ku, sipas raportit të Inspektoratit të Punës, kanë ndodhur shtatë vdekje në vendin e punës.

Sipas Qendrës për Politika dhe Avokim, kjo paraqet rritje edhe në raport me të njëjtën periudhë kur nuk kishte asnjë të vdekur në gjashtëmujorin e parë të 2024-s.

Gersi Gashi, drejtor për Zhvillim dhe Hulumtim në këtë organizatë, thotë se siguria dhe shëndeti në punë duhet të trajtohen me urgjencë nga institucionet.

“Unë besoj që këtu duhet të jetë më reaktiv në këtë aspekt duke përshtatur (v.j rrethanave) dhe në të njëjtën kohë të përdorin metoda për inspektimin në bazë të riskut, domethënë jo në bazë të një plani të përgjithshëm, por në bazë të riskut, sepse të themi një biznes që është shitore e vogël familjare që drejtohet maksimumi nga dy persona familjarë sa duhet të prioritizohet në pikën e inspektimeve në krahasim me maketet e tjera që kanë probleme të mëdha ose numër më të madh të punëtorëve e deri te ndërtimtaria ku e dimë që nuk është më çështja e marrëdhënies së punës, por te siguria e shëndeti”, tha Gashi.

Inspektorati, sipas tij, pavarësisht dyfishimit të buxhetit dhe rritjes së numrit të inspektorëve, nuk po e reflekton efektin e tij në terren sa u përket sigurisë dhe shëndetit në punë.

KOHA ka bërë përpjekje ta kontaktojë kryeinspektorin e punës, Hekuran Nikçi, të dielën, por ai nuk ka qenë i qasshëm.