Në Gjykatën Themelore në Prizren ka vazhduar gjykimi ndaj ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, bashkë me familjarët e tij, të cilët akuzohen për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë në korrik të vitit 2022, në Komunën e Skenderajt. Dëshmitari, i cili ishte i pranishëm në momentin e incidentit, tha se nuk e ka parë kush ka shtënë me armë i pari.
Ish-nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku, bashkë me familjarët e tij, Arif Lushtaku e Faton Lushtaku, të akuzuar për sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë në korrik të vitit 2022, në rrugën “Fadil Rrustemi”, në qytetin e Skenderajt, janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve.
Në seancën, e cila u mbajt në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dëshmuar Xhemë Murtezaj, zyrtar policor, që ka qenë i pranishëm në momentin e incidentit.
Në pyetjet që prokurori Mehdi Sefa i parashtroi, dëshmitari i rastit, Murtezaj, tha se natën e sulmit ai ia ka dërguar një bllok për kundërvajtje zyrtarit Enver Berisha, derisa nuk ka parë se kush shtiu me armë i pari.
“Cila është e vërteta, si jeni njoftuar të shkoni ju aty?” – pyeti prokurori Sefa.
“Fillimisht kemi parë që kolegu Enveri me dy persona ishin duke u fjalosur. Arif Lushtakun e kam njohur, personat e tjerë vetëm si figurë, e jo si emër. Enveri iu ka drejtuar kemi respekt, e Nuredini nuk më duhet respekti jot. Pas këtyre fjalëve janë nxjerrë armët, nuk mundem me përcaktuar se kush i nxori armët i pari, të shtënat janë gjuajtur në ajër lartë. Nuk e kamë parë se kush ka gjujt, kjo ka ndodhur gjatë ballafaqimit sa kolegu ishte i shtrirë”, tha Murtezaj.
Dëshmitari Murtezaj, derisa tregoi detaje për rastin, tha se të akuzuarit Arif e Faton Lushtaku nuk i ka parë se cili u është vërsulur zyrtarëve policorë.
“Ne e kemi pasë fokus Nuredin Lushtakun, Arifi dhe tjetri janë vërsulur, dhe atë moment e kanë goditur nuk e kam parë, të dy e kanë goditur po cili nuk e di, ndoshta edhe dytë”, tha Murtezaj.
Lidhur me incidentin e korrikut të vitit 2022, dëshmitari u pyet edhe nga përfaqësuesit e të akuzuarve.
Dëshmitari tha se pavarësisht tentimit për t’ia larguar armën të akuzuarit Nuredin Lushtaku, ai nuk ia ka arritur.
“Unë kam tentuar me ja largu revolen, por nuk kam arritur, në ato çaste kolegu i shtrirë, e kam nxjerrur revolen por nuk kam pasë objektiv, e kam përdorur prijën në atë moment”, tha Murtezaj.
Murtezajt edhe i akuzuari Nuredin Lushtaku i parashtroi pyetje.
“Kur i keni sjellë tiketat, a të kujtohet a të ka thënë Enveri, kanë me ardhë Lushtakët?” – tha i akuzuari Lushtaku.
“Jo, ka thënë po më duhet bllok për kundërvajtje, ne ja kemi sjellë, asgjë tjetër”, tha Murtezaj.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të akuzuarit Lushtaku i ngarkon edhe me veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, për shkak se të njëjtit më 2 korrik 2022, në Skenderaj, saktësisht në rrugën “Fadil Rrustemi”, kanë përdorur armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm për armët, ashtu që me kondak të armës e kanë goditur në kokë të dëmtuarin Enver Berisha, me ç’ rast i kanë shkaktuar lëndime trupore.