LAJMET E MBRËMJES

“Po vijmë për Krishtlindje” - Në Zveçan sekuestron armë e në Mitrovicë shfaqen posterë

Tri fuçi të mbushura me armatim e të groposura në dhe janë gjetur nga Policia, në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Katër granata dore, dy pushkë automatike, karikatorë, municion e uniforma ushtarake bashkë me antiplumba dhe gazmaska, ishin fshehur në fuçi të bardha plastike, në rrugën Krajl Petri në Zveçan.

Policia dyshon se armatimi i takon një personi, i cili dyshohet për përfshirje në sulmin terrorist në Bansjkë.

“Gjatë kontrollimit janë gjetur tre kavanozë (bure) plastikë të groposur në dhe, në të cilët kishte pasur uniforma ushtarake, armë AK47, granata dore dhe fishekë. Fillimisht një bure është gjetur nga njësitet e DRP-së (Drejtorisë Rajonale të Policisë) Mitrovicë Veri, e më pas nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive janë gjetur edhe dy bure të tjera”.

Në njoftimin e Policisë nuk është treguar nëse ka të arrestuar.

Gjatës ditës, në Mitrovicën e Veriut janë shfaqur edhe posterë me mbishkrimin në gjuhën serbe “Po vijmë për Krishtlindje”, e që janë vendosur mbi trengjyrëshin e flamurit serb.

Policia ka njoftuar se nuk ka hapur procedura hetimore për këtë rast. Zëvendëskomandanti i Rajonit të Veriut, Veton Elshani ka thënë se vendimi është marrë në konsultim me Prokurorinë, meqë është konstatuar se nuk ka bazë për veprime ligjore.

“Ne i kemi parë posterët dhe në konsultim me prokurorin është vendosur që nuk do të ndjekim këtë çështje”.

Pas sulmit terrorist në Banjskë, Policia vazhdimisht ka njoftuar për sekuestrimin e sasive të mëdha të armatimit, por edhe të mbishkrimeve të vendosura me mesazhe kërcënuese.