Për tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti, Kuvendit të premten i janë dorëzuar mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve. Organizatorët e peticionit, në kuadër të së cilit janë mbledhur nënshkrimet, janë takuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca
Fiks 21 mijë e 398 nënshkrime të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë kërkuar që të lejohet tërheqja e deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti, janë dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.
Organizatorët e këtij peticioni, pasditen e së premtes, janë takuar edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, të cilit edhe ia kanë paraqitur kërkesat e tyre.
“Kryetari i Kuvendit e vlerësoi nismën legjislative si e drejtë kushtetuese, dhe si e drejtë e qytetarëve për të nisur një nismë legjislative në Kuvend, duke thënë se ajo do të shqyrtohet në komisionet parlamentare”, ka thënë organizatori Adnan Jashari.
Ai ka shfaqur pritjen se Kuvendi nuk do t’i vonojë procedurat për ta vënë në votim Projektligjin që i hap rrugë tërheqjes së mjeteve.
“Gjithashtu ne shpresojmë që Qeveria dhe Kuvendi të mos i vonojnë procedurat dhe të shkohet shpejt, pasi kërkesa është urgjente, për shkak të gjendjes së rënduar me çmime të larta dhe ne presim që kjo kërkesë e jona të shkojë sa më parë në Kuvend për votim”, ka thënë ai.
Përkrahje këtij peticioni i ka dhënë edhe Nexhat Llumica, nga Sindikata e re e KEK-ut.
Ai ka potencuar se deputetët duhet ta dëgjojnë zërin e popullit dhe të jenë pro këtij projektligji.
“E dimë kohën në të cilën jemi, ngritjen e inflacionit, ngritjen e çmimeve, e dimë që po deklarohet ngritje ekonomike, por nuk ka ngritje të pagave dhe realisht gjendja e qytetarëve është e rëndë. Ne e dimë që ky kursim është i yni dhe jo i Qeverisë dhe për këtë arsye ne duam t’i shfrytëzojmë këto mjete në ditët e vështira të qytetarëve, e jo atëherë kur nuk kemi nevoja të mëdha, aq sa janë urgjente sot”, është shprehur ai.
Reshat Ramadani, vullnetar nga Komuna e Gjilanit, ka deklaruar se ka pasur shumë interesim për peticionin në këtë qytet.
“Deputetët e Kuvendit të mos hezitojnë dhe ta ngrenë dorën për të lejuar tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve. Interesimi i qytetarëve të Gjilanit ka qenë mjaft i madh, por duke parë se ka qenë shumë vapë, edhe ne kemi mbyllur brenda tre ditësh”, ka treguar ai.
Gjatë dërgimit të këtij peticioni dhe në takim me kryeparlamentarin, i pranishëm ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili ka deklaruar se kjo tërheqje duhet t’u mundësohet qytetarëve për shkak të krizës ekonomike.
“Kjo është kërkesë dhe iniciativë e qytetarëve... Është fascinuese se si këta vullnetarë dhe plot të tjerë anekënd Kosovës për pak ditë kanë arritur të grumbullojnë numër kaq të madh të nënshkrimeve. Nuk e ka bërë asnjë subjekt politik deri sot, sa herë që kanë dalë për të mbledhur peticione për çështje të caktuara, dhe kjo tregon rëndësinë e nevojës që t’iu mundësohet qytetarëve tërheqja e deri 30 për qind e Trustit, për shkak të krizës ekonomike”, ka thënë ai.
Projektligji që do t’i hapte rrugë tërheqjes së deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti dështoi të votohet në Kuvend, më 23 qershor të këtij viti, për shkak se deputetët e LVV-së në pushtet votuan kundër tij.
Ky projektligj ishte iniciuar nga PDK-ja, por u përkrah edhe nga partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja.
Nisma ligjore për Trustin është nisma e pestë me radhë në historinë parlamentare të Kosovës që iniciohet nga qytetarët. E nga gjithë këto, vetëm një është shndërruar në ligj.