Dënim më të lartë sesa që ka propozuar prokuroria, ka shqiptuar të enjten Gjykata Themelore e Prishtinës në rastin për shembjen e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës. Para aktgjykimit të së enjtes, palët kanë arritur pajtim rreth pranimit të fajësisë. E krahas dënimeve me dy dhe tre vjet burgim, dy të dënuarit janë detyruar që buxhetit të shtetit t’ia kthejnë 36 mijë euro
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ylber Jasharit, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe ndaj Bekim Baftijarajt, i cili është akuzuar për punime ndërtimore të kundërligjshme, në rastin rreth shembjes së çatisë së objektit të Komunës së Prishtinës, me ç‘rast pati mbetur e lënduar një qytetare.
Pas pranimit të marrëveshjen mes prokurorisë dhe të akuzuarve lidhur me pranimin e fajësisë, gjykata e ka dënuar Jasharin me tre vjet burgim dhe pesë mijë euro gjobë, ndërsa Baftijarajt i është shqiptuar dënimi me dy vjet heqje lirie.
Gjyqtari Gëzim Ademi, e ka ashpërsuar dënimin e propozuar nga prokuroria.
“I pandehuri Jashari për ‘Keqpërdorim të detyrës zyrtare’ u dënua me 3 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, kurse i pandehuri Baftijaraj për veprën penale ‘Punimet ndërtimore të kundërligjshme’ u dënua me 2 vjet burgim”, ka thënë ai.
Në një përgjigje të Prokurorisë bëhet e ditur se propozimi ka qenë që Jasharit t’i shqiptohet dënimi me gjobë prej 5.000 deri në 7.000 euro dhe burgim në kohëzgjatje prej një viti, i cili nuk do të ekzekutohet me kusht që brenda dy vjetëve të mos kryejë vepër penale. E Baftiarajt, sipas prokurorisë, do t’i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, e i cili nuk do të ekzekutohet, por do t'i zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 3,500 deri në 4.500 eurosh.
Dy të dënuarit janë detyruar gjithashtu që buxhetit të shtetit t’ia kthejnë 36 mijë euro.
Sipas aktakuzës, Jashari duke e shfrytëzuar detyrën ka vepruar me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania e tij, duke përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së re të Prishtinës, edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas kontratës. E Baftjaraj, i akuzuar për veprën penale: Punime Ndërtimore të Kundërligjshme, sipas Prokurorisë, nuk i ka kryer punët e parapara me kontratë dhe ka kryer punë të tjera, e jo ato sikur në pozicionet e kontratës.
Në janar të vitit të shkuar, një pjesë e saporinovuar e kulmit të objektit të Komunës në lagjen “Arbëria” në Prishtinë është rrëzuar dhe më këtë rast ka mbetur e lënduar rëndë një 23-vjeçare.