LAJMET E MBRËMJES

Përshkallëzon protesta e veteranëve, paralajmërohen reagime edhe më të ashpra

Përkundër tentimeve për t’u futur brenda Kuvendit të Kosovës, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk arritën ta bënin një gjë të tillë. Por, ata lënduan dy zyrtarë policorë, e dëmtuan rrethojat e Kuvendit. Për të shpërndarë disa herë turmën, u desh edhe përdorimi i sprejit nga ana e Policisë. Ish-pjesëtarët e UÇK-së, paralajmëruan protesta edhe më të ashpra, në rast se nuk përfshihen në pagën minimale.

Gjithçka nisi me këngë në protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, të cilët po kundërshtojnë projektligjin për pagën minimale, pasi në të nuk përfshihen veteranët.

“Ky duhet me ditë që me klasë të luftës e krah të luftës nuk bën të luajë, sepse hyjmë në parlament...këta duhet të kenë konsideratë, mirësjellje e dije të plotë, këta të mirë e të këqij ta kanë pru NATO-n e ta ka çliruar vendin, s’ta ka çliruar askush me rrogë 3 mijë...” ka thënë protestuesi Qefser Ferati.

“Me 170 euro një me kanë janë pak... Me pas një sëmundje nuk i dalin barna me ble...po luajnë me ne me fukarallëk, 58 vjet i bëra një fëmijë imi, e që kam qenë ushtar, s’kam mundur ta punësoj... 9 anëtarë, jam me 170 euro”, ka thënë Rrahman Ahmeti.

“Jemi injoruar nga institucionet tona të vendit dhe u detyruam që kërkesat e pakënaqësitë tona t’i shprehim në rrugë përmes protestave, do të vazhdojmë me protesta deri në realizim të kërkesave tona”, ka deklaruar në fjalim Faton Klinaku nga OVL-ja e UÇK-së.

Por, me të përfunduar fjalimin, protestuesit u revoltuan dhe ia mësynë oborrit të Kuvendit të Kosovës. Duke shtyrë gazetarët e duke dëmtuar rrethojat e Kuvendit, ata arrijnë të depërtojnë brenda.

Protesta e tyre eskaloi, për çka u desh edhe ndërhyrja e policisë ku u përdor sprej e gaz lotsjellës.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas protestës rreth 3-orëshe, nisën edhe mbledhjen e provave, për të vërtetuar atë se çka ndodhi gjatë së hënës.

Në këtë protestë mbetën të lënduar dy zyrtarë policorë e disa protestues.

Për të qetësuar situatën dolën disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Madje edhe lajmin që nuk kaloi projektligji që e kundërshtonin, e dha deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

“Ne si grup parlamentar i PDK-së, në asnjë rrethanë nuk do lejojmë që të bëhemi pjesë e këtyre pisllëqeve të kësaj qeverie, si grup parlamentar i PDK-së, sot edhe e pamundësuam të kalojë ky ligj”, u tha Tahiri veteranëve.

“Ne jemi këtu ta mbrojmë lirinë, ne jemi këtu ta forcojmë shtetin, pushteti ka obligim në radhë të parë t’i nderojë, t’i respektojë dhe t’u japë vendin meritor kategorive më të ndritura”, ka thënë Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së.

Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar protesta edhe më të ashpra në rast se projektligji i tillë tentohet të futet në rend dite edhe njëherë në Kuvend.