Anëtari i KQZ-së nga Vetëvendosje, Sami Kurteshi, dhe vëzhgues të partive të tjera janë përplasur të hënën për një votë. Kurteshi është akuzuar për provokime e presion, teksa ai e ka mohuar këtë. E përpjekjet për ndërhyrje në procesin e numërimit, i kanë quajtur të papranueshme përfaqësues të shoqërisë civile
Vlefshmëria ose jo e një fletëvotimi ka shkaktuar përplasje mes anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, dhe vëzhguesve të disa partive politike në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Kurteshi gjatë një vizite që i bëri kësaj qendre të hënën, është akuzuar nga vëzhguesit për provokim dhe presion ndaj tyre.
Shpallja e një fletëvotimi të vlefshëm ose jo, sipas vëzhguesve është e përcaktuar me një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa e P-arashtresa nga viti 2017.
“Para 3 ditë vëzhguesit e VV-së kanë insistuar që ta shpallin një votë të Aleancës në Deçan të pavlefshme, dhe është shpallë e pavlefshme. E kanë krijuar atë standard. Sipas informacioneve, Samia ka ardhur te një tavolinë dhe i ka thënë komisionerit shpalle këtë të vlefshme”, ka thënë Lavdim Mehani, koordinator i vëzhguesve të AAK-së.
Kritik ndaj Kurteshit ishte edhe Egzon Pacolli, vëzhgues i LDK-së.
“Ka filluar nga dita e parë e numërimit, është me vendim të PZAP-së prej 2017-ës dhe i njëjti zotëri Kurteshi, votën e pavlefshme donte që me presion ta bëjë votë të vlefshme, atëherë patjetër që erdhi reagimi ynë. Ja kemi bërë me dije që neve nuk na lejohet të bëjmë presion”, ka thënë Pacolli.
E vetë Kurteshi ka mohuar një gjë të tillë.
“Ai thotë është e pavlefshme, por nuk vendos as ti as ai, vendosin ata. Nëse ty ta merr mendja që të është bë e padrejtë, e ke të drejtën e ankesës në PZAP. Llogaritjet nuk mundem me i pa, se ti llogarit ndryshe unë ndryshe, por prej pozitës të vëzhguesit, nuk vendosi dhe nuk është presion. Kurrkush nuk po ju thotë juve me u ndalë dhe mos me i këqyrë”, ka thënë Kurteshi.
Përpjekjen për të ndërhyrë në punën e komisionerëve dhe vëzhguesve, Albert Krasniqi nga Demokraci Plus, e ka quajtur të papranueshme.
“Përpjekja e anëtarëve të KQZ-së për të ndërhyrë në punën e komisionerëve dhe vëzhguesve të subjekteve politike, përmes ndikimit apo presionit, është tërësisht e papranueshme. Këto ndërhyrje duhet të ndalen menjëherë për të garantuar integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve. Në të kundërtën, presidentja e Kosovës duhet të ndërmarrë masa për shkarkimin e anëtarëve që shkelin detyrimet e tyre, veçanërisht ndaj atyre që janë përsëritës në cenimin e administrimit të zgjedhjeve”, ka shkruar Krasniqi.
Shtypja e fletëvotimeve në formë jo të plotë ka shkaktuar debate mes komisionerëve dhe vëzhguesve edhe në ditët paraprake gjatë numërimit të votave me postë, proces që pritet të përfundojë të martën.