LAJMET E MBRËMJES

Përleshje mes kryetarëve të komunave në mbledhjen e asociacionit

Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, e ka akuzuar atë të Drenasit, Ramiz Lladrovci, se e ka shtyrë me forcë dhe e ka ofenduar. Por këtë e mohoi Lladrovci. Një video nga tollovia është bërë virale në rrjetet sociale

Mbledhja e Kuvendit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, është përcjellë me tensione, të enjten. 
Në një video të shpërndarë në rrjete sociale, shihet tollovi mes kryetarëve të komunave, derisa ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe ai i Kamenicës, Kadri Rahimaj, fjalosen me njëri-tjetrin.

Rahimaj, në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë se tensionet nisën pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që komunat veriore të anëtarësohen në Asociacion, por kjo sipas tij, u refuzua nga udhëheqësit e tjerë të komunave.

Po ashtu e ka akuzuar Lladrovcin se e ka shtyrë dhe e ka ofenduar.

“Na u mohua e drejta e fjalës nga kryetari i Kuvendit të Asociacionit, z. Aliu, që luan rolin e një kukulle, sepse gjatë tërë diskutimit na u mohua e drejta e fjalës. Nga prapa erdhi kryetari Lladrovci që edhe më herët me pëshpërima fyente me fjalët më të ulëta që mund dikush t’i dëgjojë në rrugë. E, me forcë fizike më ka shtyrë duke tentuar të zbrazë edhe diskutimin”, ka thënë Rahimaj.

Për konfliktin në mbledhje, kryetari i Drenasit ka mbajtur edhe një konferencë për medie, të enjten pasdite. Ai ka kritikuar kryetarët e komunave që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes se penguan punimet e mbledhjes. 

“Shpeshherë kam thënë se jam ‘bulldozher’ dhe kush më del përpara e marr pas vete, por nuk është e vërtetë që e kam shtyrë. Unë kam kërkuar prej tyre, sepse sikur ata që kanë të drejtë të dalin ta pengojnë zhvillimin e punimeve të Kuvendit, edhe ne që jemi shumicë, kemi të drejtë t’u themi largohuni, lëshoni ta mbajmë Kuvendin, sepse ne i kemi lënë punët tona, nëpër komunat tona për ta mbajtur Kuvendin”, ka thënë Lladrovci.

Sipas Lladrovcit, tensionet janë krijuar qëllimisht nga Lëvizja Vetëvendosje, për të larguar vëmendjen nga publikimi i përgjimeve, ku pretendohet se flasin shefja e grupit parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.