LAJMET E MBRËMJES

Përfundon numërimi i votave me postë

Drejt fundit është procesi i numërimit të votave. Të martën kanë përfunduar ato të dërguara me postë, ndërsa ka nisur edhe numërimi i votave me kusht. Përfaqësues të KQZ-së shprehën pritjen që numërimi të përmbyllet të mërkurën. Ndërkohë, numërimit të tyre pritet t`i shtohen edhe 21 fletëvotime që më parë janë shpallur të pavlefshme. Kjo pas vendimit të PZAP-së në favor të ankuesit, Lëvizjes Vetëvendosje

Kutitë e fundit me votat e dërguara me postë janë numëruar të martën. Në të njëjtën kohë ka filluar edhe numërimi i votave me kusht, e të mërkurën do të bëhet edhe numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta, që janë të fundit për procesin zgjedhor të 9 shkurtit.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, procesi është përcjellë të martën edhe nga kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Por për ecurinë e numërimit, është deklaruar zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi. 

Sipas tij, edhe votat me kusht dhe ato që janë marrë nga ekipet mobile, do të numërohen të mërkurën. 

“Në momentin që krijohen hapësirat e nevojshme do të numërohen edhe votat e personave me nevoja të veçanta që janë shumë më pak. Numërimi i këtyre fletëvotime do të përmbyllet deri ditën e nesërme, e mërkurë. Janë më shumë se 20 tavolina numërimi në qendrën e numërimit dhe rezultateve në të cilat zhvillohet procesi i numërimi të fletëvotime”, ka thënë ai.

Numërimi i votave të dërguara me postë ka nisur të premten e javës së shkuar. Nga to janë aprovuar rreth 63 mijë fletëvotime. Në bazë të rezultateve të fundit të publikuara nga KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje prin me 51.57 për qind të votave me postë. Ajo pasohet nga LDK-ja me 30.55 për qind, PDK-ja me 9.48 për qind e AAK-ja me 3.23 për qind.

Këtyre rezultateve pritet t`u shtohen edhe ato të 21 fletëvotimeve të shpallura fillimisht të pavlefshme. Të martën, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka aprovuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për to, derisa ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ato t`i vlerësojë si të vlefshme dhe t`i përfshijë në rezultatin përfundimtar.

Shumë më herët ka përfunduar numërimi i votave të rregullta, atyre të hedhura në kutitë e votimit në Kosovë.

Vlerësimet e ndryshme mbi vlefshmërinë apo jo të një vote, kanë qenë shkak i debateve jo të rralla në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve derisa në to janë përfshirë edhe vetë anëtaret e KQZ-së. Zhvillimet e tilla, sipas Demokracisë në Veprim kanë krijuar nevojën e aplikimit të kodit të mirësjelljes edhe për ta.

Mospajtimet e diskutimet edhe me tone të larta mes komisionerëve, vëzhguesve e madje edhe anëtarëve të KQZ-së, kanë shoqëruar procesin e numërimit të votave.

Vlerësimi i vlefshmërisë së fletëvotimeve ka qenë kryesisht arsyeja e debateve që janë zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve që nga bartja e zhvillimit të procesit në të.

Sipas Eugen Cakollit nga Demokracia në Veprim, përplasjet verbale në QNR pengojnë procesin, derisa diskutimet nga ana e anëtarëve të KQZ-së janë duke u bërë jashtë kompetencave të tyre ligjore. 

“Në bazë të rregullativës ligjore në fuqi, përveç stafit përgjegjës të angazhuar nga KQZ-ja si numërues në QNR askush tjetër nuk ka të drejtë të përcaktojë e as të konstatojë nëse një votë është e vlefshme apo e pavlefshme. Besoj që përplasjet e tilla, e që kryesisht gjatë ditëve të fundit kanë ardhur nga disa prej anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në fakt vetëm sa e kanë penguar dhe dëmtuar imazhin e procesit zgjedhor”, ka thënë ai.

Sipas tij, anëtarët e KQZ-së kanë po aq të drejta sa kanë edhe vëzhguesit.

“Është e pakuptimtë dhe e panevojshme që të njëjtit të përfshihen në diskutime e poleminizime me komisionerë dhe vëzhgues të tjerë dhe në vend të kësaj mjafton që t`i mbledhin provat, që tash është më lehtë se kurrë ndonjëherë më parë, të dërgohen në PZAP dhe procedura po përmbyllet brenda 24 apo 48 orësh maksimalisht”, ka thënë ai.

Adresimin në PZAP e ka rekomanduar edhe zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, kur është pyetur për diskutimet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe përfshirjen e anëtarëve të KQZ-së në to.

E në pyetjen nëse këto zhvillime shqetësojnë KQZ-në në lidhje me prishjen e procesit, zëdhënësi Valmir Elezi ka kërkuar që kjo çështje të adresohet në mbledhjen e radhës nga gazetarët. Por në mbledhjet e KQZ-së zakonisht nuk pranohen pyetjet nga palët e treta. 

“Sa i përket këtyre çështjeve të tjera mund t`i trajtoni edhe në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të cilën besojmë që do ta kemi gjatë këtyre ditëve dhe mund t`iu parashtroni pyetje te anëtarët dhe kryesuesi”, ka thënë ai.

E Cakolli i Demokracisë në Veprim e sheh të domosdoshëm që edhe për anëtarët e KQZ-së të ketë kod të mirësjelljes. 

“Pra nuk mjafton që kodi të vlejë vetëm për anëtarët e Sekretariatit për shkak se në fund të ditës edhe për shkak se nominohen nga subjektet politike ligjërisht anëtarët e KQZ-së janë aty përfaqësues të institucionit dhe jo të partive në fjalë. Duhet medoemos që menjëherë pas përmbylljes së procesit zgjedhor të fillojnë diskutimet për të pasur kod të mirësjelljes edhe për anëtarët e KQZ-së, mosrespektimi i së cilit mund të sanksionohet qoftë me gjobë apo edhe masa të tjera administrative”, ka thënë ai.