LAJMET E MBRËMJES

Përfundon intervistimi i dëshmitarëve të prokurorisë në rastin e madh të Speciales

Kryetari i trupit gjykues ka thënë se deri më 15 prill pret që të përmbyllet paraqitja e tërësishme e provave të ZPS-së. Pasi të përfundojë kjo procedurë, në radhë janë dëshmitarët e ftuar nga mbrojtja e të akuzuarve. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë ngarkuar me katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Në të gjitha këto, ata janë deklaruar të pafajshëm

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar të hënën se nuk do të ftojë më dëshmitarë për rastin më të madh të Dhomave të Specializuara, ku po gjykohen ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Dëshmitari i 126-të nuk u paraqit para Gjykatës Speciale e prokuroria propozoi që dëshmia e tij të pranohet si provë me shkrim. 

“Me rregull do të kishim filluar ta dëgjonim dëshminë e dëshmitarit të prokurorisë 04747, sidoqoftë dëshmitari nuk është në gjendje të vijë sot dhe ZPS-ja do të kërkojë të pranohet dëshmia e tij sipas rregullit 155. Prokuror a ka nevojë të dalim në seancë private për parashtrimet tuaja?”, pyeti kryetari i Trupit gjykues, Charles Smith, për çka mori pohimin e prokurorit Matthew Halling.

Trupi gjykues e pranoi si provë materiale një dokument për të cilën ZPS-ja thotë se është deklaratë e dëshmitarit Ismet Tara dhënë në UNMIK më 2001, ndërsa vetë dëshmitari dhe mbrojta e të akuzuarit Kadri Veseli pretendonin se nuk është deklarata e tij. 

Avokati Rodney Dixon për këtë pati pretenduar se e ka “prodhuar” ZPS-ja, derisa këtë e kundërshtonte prokuroria. 

“Sipas ZPS-së është e qartë që dokumenti që përsërit dëshmitari në mënyrë të vazhdueshme dëshmitari 04745 në dëshminë e tij është një deklaratë e mëparshme e dëshmitarit e vitit 2001 të cilën mbrojtja e ka në posedim dhe se mbrojtja e Veselit nuk ka paraqitur arsye të vlefshme pse janë të rëndësishme shënimet shtesë. Trupi gjykues vëren se mbrojtja e Veselit mbështetet në një pjesë të caktuar të dëshmisë së dëshmitarit 04745 për të paraqitur pretendimin e vet që dokumenti në fjalë që përmend dëshmitari mund të jetë produkt i brendshëm i ZPS-së. Pasi rishikoi incizimet në tërësinë e vet, trupi gjykues vendos se nuk ka arsye për të pranuar kërkesën e mbrojtjes së Veselit”, ka thënë Smith. 

Vërtetësia e kësaj shkrese sipas gjykatës dëshmohet edhe nga prova të tjera materiale. 

“Është e qartë nga dëshmia e dëshmitarit 04745, shënimi përgatitor i ZPS-së, intervista e vitit 2019 e dëshmitarit me ZPS-në se dokumenti në fjalë në fakt është deklarata e dëshmitarit e vitit 2001 të cilën mbrojtja e ka dhe nuk është produkt i brendshëm i ZPS-së. Trupi gjykues vë re që dëshmitari nuk iu përgjigj pyetjeve të ZPS-së gjatë pyetjeve që i bëri pala thirrëse, por këto lidheshin me deklaratën e vitit 2001”, ka deklaruar gjyqtari Smith. 

Në bazë të deklaratës së vitit 2001, që e pranoi Trupi gjykues si provë, Tara pati deklaruar se bashkëpunëtorët e Serbisë, pavarësisht kombësisë duhet të vriteshin, e se kohë pas kohe duhet të digjeshin, përndryshe trupat e atyre që i mbante UÇK-ja do të shërbenin si prova kundër saj.
Ish-komandanti i UÇK-së në Rahovec, gjatë dëshmisë pati kërkuar t’i paraqitej përpara vetes deklarata, që sipas tij ia kërcënoi jetën e familjen e tij, përndryshe s’do të përgjigjej.

Prokuroria ia pati shfaqur atij të gjitha deklaratat që i ka dhënë, por dëshmitari, pati thënë se nuk ia shfaqën dokumentin që po e kërkonte dhe se ZPS-ja po manipulon. 

Kryetari i trupit gjykues ka thënë se deri më 15 prill pret që të përmbyllet paraqitja e tërësishme e provave të ZPS-së. Pasi të përfundojë kjo procedurë, në radhë janë dëshmitarët e ftuar nga mbrojtja e të akuzuarve.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë ngarkuar me katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit. Në të gjitha këto, ata janë deklaruar të pafajshëm.