LAJMET E MBRËMJES

Përfaqësues politikë e fetarë konsiderojnë se shqiptarët duhet të merren shembull në Evropë e më gjerë

Politikanë e përfaqësues të religjioneve të ndryshme kanë diskutuar për dialogun ndërfetar. Në Katedralen në Prishtinë, ku është organizuar diskutimi, është lavdëruar modeli shqiptar për tolerancën dhe dialogun e demonstruar.

Shqiptarët dhe bashkëjetesa e tyre fetare duhet të merren shembull nga të tjerët, është mesazhi që kanë dhënë pjesëmarrësit në diskutimin e organizuar në Katedralen në Prishtinë.

Kryekuvendari Glauk Konjufca tha se gjatë historisë së gjatë të shqiptarëve askund nuk mund të gjendet ndonjë konflikt mes tyre në bazë fetare. 

“Është vërtet për t’u studiuar qysh nuk mund të gjendet asnjë tronditje në shoqërinë tonë, në popullin tonë, e cila është me bazë fetare, qysh e kemi parë në gjithë historinë e Evropës. Të rrallë janë popujt që kanë pasur imunitet prej kësaj historie, prej luftërave vërtet të ashpra në kontinentin evropian”, tha Konjufca. 

E organizatori i diskutimit, Zef Gashi, tha se synimi i bashkësisë fetare që i takon, është që të forcojë të përbashkëtën, pa cenuar të dallueshmen.

Ai shprehu nevojën të mos lejohet dominimi i dallimeve.

“Pikërisht në këtë kohë kur bota përballet me sfida të shumta, përçarje, konflikte, ne sot dërgojmë një mesazh të qartë: Dialogu është rruga e vetme për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe paqedashëse”, tha Gashi, president i Fondacionit Drita. 

Në diskutim mori pjesë edhe Jean Marie Speich, përfaqësues nga Vatikani. Ai tha se Selia e Shenjtë qe një kohë të gjatë promovon dialogun ndërfetar dhe lavdëroi raportin e ndërtuar nga shqiptarët.

“Rruga drejt paqes është toleranca dhe dialogu dhe për këtë arsye Selia e Shenjtë është e interesuar në modelin shqiptar, sepse ju e keni në kulturën tuaj me shekuj, një mënyrë për të qenë, që është përdorur, por ju e keni promovuar me shekuj me gjithë momentet e nivelit të lartë e të ulët. Modeli shqiptar mund të jetë shumë interesant për gjithë kontinentin evropian që nuk është mësuar me tolerancën”, tha Speich. 

Në kuadër të tryezës “Dialogu ndërfetar sipas modelit shqiptar” morën pjesë shumë pjesëmarrës nga Kosova, rajoni e me gjerë. Në panele të ndryshme janë ndarë këndvështrime mes përfaqësuesve të feve të ndryshme.